E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, edhe 9 raste të tjera të dyshuara

Shqipëria është në pritje të nëntë rasteve të tjera të dyshuara me AH1N1. Pas rezultateve të analizave nga laboratori i Institutit të Shëndetit Publik, priten konfirmimet nga specialistët në Bukuresht.

Listës prej 29 personash të prekur nga virusi AH1N1 pritet t‘i shtohen edhe 9 të tjerë, për të cilët është vërtetuar virus A në laboratorin e virologjisë pranë ISHP-së, por përgjigjja përfundimtare për H1N1 pritet javën që vjen nga laboratori i referencës në Bukuresht. I dyshuar për gripin e derrit është dhe një emigrant 45 vjeç, i cili ka ardhur nga Italia dhe është shtruar në gjendje të rëndë në Sanatoriumin e Tiranës.

Në Sanatoriumin e Tiranës janë marrë të gjitha masat për izolimin e pacientit. Për emigrantin është konfirmuar virusi A nga laboratori i virologjisë pranë ISHP-së, ndërkohë që pritet përgjigjja nga laboratori i referencës në Rumani.

Sipas mjekëve, pacienti është shtruar në gjendje të rëndë shëndetësore, me temperaturë të lartë dhe duke qenë konsumues i alkoolit ka shfaqur probleme edhe në organe të tjera, përveç mushkërive, ndaj po mbahet me frymëmarrje artificiale.

"Ne kemi filluar edhe mjekimin me tamiflu. Situata ka rezerva edhe për atë që mund të quhet prognozë. Ne do ta shikojmë në ditët e vazhdimësisë", sqaroi mjeku Alban Hatibi. Pacienti emigrant është përmirësuar disi gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që vazhdon trajtimi me tamiflu.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›