E Shtunë, 31 Tetor 2026

2012 vit i suksesshem per turizmin

Gjatë këtij viti numri i turistëve në Shqipëri ka qenë më i lartë se një vit më parë. Burime nga ministria e Brendshme bëjnë me dije se gjatë vitit 2012 numri i pushuesve në vendin  tonë është rritur me 8% krahasuar me vitin 2011. Sipas të dhënave nga operatorët, turistët kanë qëndruar më shumë në Durrës dhe Vlorë, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre kanë zgjedhur të kalojnë disa ditë në bregdetin vendas.
Gjatë këtij viti ka pasur gjithashtu një numër të konsiderueshëm të turistëve në Velipojë dhe Shëngjin, falë përmirësimit të infrastrukturës dhe njësive akomoduese.
Ndryshe nga vitet e mëparshme këtë vit është vërejtur një rritje e numrit të maqedonasve dhe kosovarëve. Kështu sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme në tre muajt e sezonit veror, kanë hyrë në Shqipëri rreth 350 mijë kosovarë, nga 319 mijë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shtetasit kosovarë regjistrojnë rritje të shpejtë të hyrjeve gjatë 5 viteve të fundit. Por rritje kanë regjistruar edhe turistët maqedonas, të cilët rezultojnë me një shtim prej 22% krahasuar me sezonin veror të një viti më parë.
Sipas një vëzhgimi të revistës ekonomike “Monitor” edhe operatorët turistikë, kryesisht menaxherë të hoteleve në plazhin e Durrësit, konfirmojnë se gjatë qershorit ka pasur rritje të ndjeshme të turistëve kosovarë, të cilët kalojnë fundjavat në plazhet shqiptare. Kjo falë Rrugës së re të Kombit dhe modernizimit të një pjese të rrugës që lidh Prishtinën me pikën kufitare të Morinës. Një fakt pozitiv që vihet re në të dhënat më të fundit të hyrjeve të të huajve në vend është rritja e peshës së të huajve në sektorin e turizmit, që është në fakt edhe synimi i qeverisë, por edhe i operatorëve turistikë.
Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, gjysma e turistëve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë qershor-gushtit të këtij viti kanë qenë shtetas europianë, amerikanë dhe të tjerë.  Dominancën e kanë italianët, numri i të cilëve këtë verë ka arritur në rreth 60 mijë vetë. Në fakt, të dhënat nga operatorët turistikë konfirmojnë se italianët kanë interes në rritje për pushimet në Shqipëri, sidomos në dy vitet e fundit.  Një tjetër shifër pozitive është ajo e gjermanëve, hyrjet e të cilëve po rriten me shpejtësi. Nëse në vitin 2007, në Shqipëri kanë hyrë vetëm 28 mijë gjermanë, në 2011 kjo shifër është 3-4 herë më e lartë, me rreth 78 mijë vizitorë. Nga shifrat e Ministrisë së Brendshme rezulton se gjatë këtij sezoni veror kanë ardhur mbi 48 mijë gjermanë në Shqipëri dhe ndryshe nga italianët, numri i tyre është rritur ndjeshëm në muajt e nxehtë. Kjo konfirmon se gjermanët kanë ardhur në pjesën më të madhe për motive turizmi. 
Edhe shtetasit anglezë kanë pasur një rritje të shpejtë në hyrjet e tyre gjatë 4-5 viteve të fundit. Në vitin 2011, rezulton se kanë hyrë në vendin tonë rreth 78 mijë turistë anglezë, 1.5 herë më shumë se në 2007-n. Gjatë sezonit veror të këtij viti kanë ardhur në Shqipëri mbi 40 mijë anglezë, por këtu përfshihet edhe një numër i konsiderueshëm shqiptarësh që kanë fituar nënshtetësinë angleze.
Çekët janë gjithashtu turistë besnikë të Shqipërisë, që megjithëse ende modestë në numër, po shënojnë rritje. Gjatë kësaj vere, mbi 5600 çekë kanë zgjedhur vendin tonë për pushimet. Ata preferojnë kryesisht Veriun e Shqipërisë, Thethin apo Valbonën.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›