Pak optimizem ne zonen e euros

Pas muajsh kritikë në verë, ministrat e financave të BE-së po përhapin tani pak optimizëm. Kjo vjen dhe si pasojë e shtyrjes së vendimit në lidhje me vatrën e krizës në Greqi u shty. Kryetari i vendeve të eurozonës Zhan-Klod Junker dukej optimist në takimin e ministrave të financave në kryeqytetin qipriot Nikozia. Megjithëse ka ende shumë probleme që janë grumbulluar, qoftë në Greqi, në Qipro apo në Spanjë sipas interpretimit të kryeministrit Luksemburgas dhe të shumë të tjerëve që angazhohen për të njëjtën çështje, ka shenja për shpresë. Pasi Banka Qendrore Evropiane premtoi blerje obligacionesh dhe Gjykata Kushtetuese Gjermane shtroi terrenin për ombrellën e përhershme të shpëtimit, në tregjet financiare po fillon një ç’tensionim i lehtë. Madje edhe shefja aq kritike në raste të tjera e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristin Lagard, i lavdëroi këtë herë evropianët. "FMN-ja shpreson që ky hov, i cili natyrisht është i mirë, do të vazhdojë. Sukseset e para në tregje duhet të kthehen në suksese afatgjata. Ky zhvillim nuk lejohet të kthehet", tha Lagard, e cila ndodhej në Qipro enkas për mbledhjen. Edhe Komisari i BE-së përgjegjës për Monedhën e përbashkët Oli Ren e lavdëroi vendimin e Bankës Qendrore, që në rast nevoje të blejë në mënyrë të pakufizuar obligacione të shteteve që janë në vështirësi financiare. Ai vuri në dukje se Irlanda dhe Portugalia i plotësojnë detyrimet e tyre të kursimit dhe të reformave. Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, i lavdëruar shumë, Mario Draghi, qëndroi modest dhe u përpoq gjatë një konference për shtyp që mundësisht të mos thoshte asgjë. Së fundi ai ia uli rëndësinë vetes dhe tha se veprimet e ECB-së po mbivlerësohen. Draghi i refuzoi sërish pritjet e Spanjës dhe të Italisë, se mund të siguronin para të ECB-së edhe pa detyrime të ashpra dhe mbikëqyrje. Ministri spanjoll i Financave Luis de Guindos dëshiron të negociojë vetëm një lloj "kredie overdraft-i" për vendin e tij. Kërkesë pranë ombrellës së shpëtimit ESM ai nuk planifikon të dorëzojë për momentin, për të shmangur kontrollin nga jashtë.