2023-shi, viti i suksesit të turizmit në Sarandë! Çipa: Është zgjeruar tregu

Në Sarandë gjatë vitit 2023 erdhën për pushime një apo disa ditore turistë të huaj dhe vendas. Sipas Arben Çipës, kryetar i shoqatës së industrisë së turizmit në bazë të të dhënave të marra nga entet e shërbimeve , agjencitë turistike, pikat kufitare rezulton që viti që sapo u mbyll të shënojë rekord të ardhjes së turistëve dhe rritjes së të ardhurave nga ky sektor jetik. Sezoni shënoi risi në cilësinë e shërbimeve, hartën e turistëve dhe moshën e tyre. Tregu i turizmit shënoi hapa para.
“Numri i madh i popullsisë turistike, tregjet që ishin në volum këtë vit në numra të konsiderueshëm si spanjollët, francezet, italianët. Tregjet që kanë qenë thjeshtë sporadik tani u bënë masiv”, tha Arben Çipa.
Sipas të dhënave të para të marra nga agjencitë turistike dhe shërbimi pritshmëritë për vitin 2024 janë dhe më të mëdha. Përvoja e fituar dhe masat e marra janë një garanci për një sezon dhe më të mbarë.
“Duam të besojmë se edhe 2024 do të jetë një nga sezonet shumë të mira dhe duhet të jemi pak të kujdesshëm për të thënë nëse do të jetë më mirë se 2023 apo jo”, tha Çipa.
Vetë Saranda bregdeti saj, aq i lakmuar për turistët, pa harruar Ksamilin, por dhe vlerat kulturore e muzeale që ka Saranda me Parkun Arkeologjik të Butrintit, me Kalanë e Lëkursit dhe perlën e natyrës shqiptare, ”Syrin e kaltër” mbeten atraksionet më joshëse për turistët që e duan dhe vizitojnë pambarimisht këto bukuri të rralla. Këtu dhe kulinaria, çmimet e kultura e shërbimeve janë një ftesë e ripërsëritur për të gjithë ata që vijnë e rikthehen ne Sarandën me 365 ditë turizëm.
Gazetare: L. Filo
/rtsh.al/