E Martë, 3 Nëntor 2026

Fonoteka, pasuria e Radio Shkodrës. Mbi 5 mijë materiale janë digjitalizuar vitet e fundit

Fonoteka e Radio Shkodrës përmban një pjesë të rëndësishme të historisë së këtij radiostacioni. Në të përfshihen: edicione informative, emisione kulturore, programe humoristike, emisione për fëmijë, rubrika sportive etj. “Muzika është një nga elementët me rëndësi që gjendet aty”, tregon mirëmbajtësja e fonotekës, gazetarja Blerta Cina.

“Këtu është thesari i muzikës shqiptare, i muzikës popullore, i muzikës folklorike i krijuar ndër vite. Ne arkivin tonë ekzistojnë këngë nga ansambli, muzikë orkestrale, muzikë popullore e përpunuar. Muzikë popullore qytetare, muzikë të filamve shqiptarë, muzikë e huaj, orkestrime”, tha gazetarja Blerta Cina.

Mbi 5 mijë materiale të fonotekës janë digjitalizuar tashmë dhe me këtë proces është marrë Muhamet Basha, ish-punonjës prej 30 vitesh i Radio Shkodrës.

“Këtu janë digjitalizuar vetëm këngë shqipe, popullore shkodrane, të Shqipërisë së Mesme, folklorike, këngët e fëmijëve” , tha Muhamet Basha.

Procesi ka patur vështirësitë e veta thotë Basha.

“Vështirësi ka sepse kishte edhe shirita shumë të vjetër, probleme me lagështirën që ka pas Fonoteka përpara” tha ai.

Një pjesë e materialeve të Fonotekës së Radio Shkodrës janë ende të padigjitalizuara. Ato përbëjnë një pjesë të rëndësishme të pasurisë kulturore dhe shpirtit të këtij qyteti dhe jo vetëm të radios.

Gazetarë: Marjo Gjini

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›