21 Janari- Hetimet mbi vrasjen e Hekuran Dedës, paraqitet në SPAK vëllai i tij, Agim Deda

Agim Deda, vëllai i Hekuran Dedës, një prej viktimave të protestës së 21 janarit 2011, ka dëshmuar para SPAK për hetimet lidhur me vrasjen e vëllait të tij, ngjarje që ende nuk ka një autor të identifikuar. Një ditë më parë, edhe vëllai tjetër i Hekuranit, Zabit Deda, u pyet mbi 2 orë në SPAK. Ai tha për mediat se ka pasur përparim në hetimet e SPAK lidhur me këtë çështje.
Vëllezërit Deda kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe drejtësi për vrasjen e Hekuran Dedës, i cili u qëllua për vdekje gjatë protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë më 21 janar 2011.
Hetimet e SPAK janë përqendruar në një audio-përgjim të ri, ku konfirmohet se është dhënë urdhër për të qëlluar mbi protestuesit. Ky provë pritet të nënshtrohet ekspertizës së mëtejshme.
Dosja e ngjarjes së 21 Janarit është dërguar në SPAK pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, dhe hetimet kanë përfshirë disa figura të larta të qeverisë dhe institucioneve të sigurisë. Deri më tani, janë marrë në pyetje ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të Policisë, përfshirë deputetin e PS-së, Xhemal Qefaliaj.
SPAK gjithashtu ka njoftuar se do të rimarrë në pyetje ish-kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Predin, si dhe disa gardistë të grupit të zjarrit, duke përfshirë përgjegjësin e Njësisë Speciale, Agim Llupo, për të hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes.
Vëllezërit Deda shpresojnë që hetimet të çojnë në zbardhjen e plotë të vrasjes së Hekuran Dedës dhe të tjerëve që humbën jetën në atë protestë, duke kërkuar drejtësi për tragjedinë që ndodhi 14 vite më parë.
/rtsh.al/