Zgjedhjet 2025, SPAK merr masa për hetimin dhe parandalimin e krimeve elektorale

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka miratuar një plan masash për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Në kuadër të këtij plani, SPAK ka parashikuar ngritjen e një task-force, që do të monitorojë dhe hetojë në terren, si dhe një Strukturë Qendrore për të mbikëqyrur përdorimin e administratës shtetërore gjatë procesit zgjedhor.
Ekipet hetimore do të ngrihen në çdo qark dhe bashki për të hetuar veprat penale zgjedhore.
SPAK do të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Shtetit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe institucionet e tjera për të siguruar shkëmbimin e informacionit dhe ndërhyrje të shpejtë në rast të shkeljeve.
Grupi hetimor do të përbëhet nga prokurorë, hetues të BKH-së dhe ekspertë, të cilët do të monitorojnë dhe hetojnë çdo akt të paligjshëm që lidhet me përdorimin e burimeve shtetërore dhe mundësinë e përfshirjes së grupeve kriminale në procesin zgjedhor.
Një pjesë e rëndësishme e këtij plani është monitorimi financiar, ku do të kontrollohet përdorimi i buxhetit dhe investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore.
“SPAK ka ngritur një grup pune për të siguruar që fondet publike nuk do të përdoren nga subjektet zgjedhore në mënyrë të paligjshme”, thuhet në njoftim.
Për denoncimet e qytetarëve, SPAK do të ofrojë një platformë online dhe një numër emergjent për raportime. Sidoqoftë, kallëzimet penale do të pranohen vetëm në formë të shkruar dhe procedurale në prokurori. Prokurorët do të detyrohen të marrin vendime dhe të njoftojnë kallëzuesit vetëm për këto kallëzime.
Ky plan ka për qëllim të sigurojë një proces zgjedhor të pastër, duke luftuar çdo tentativë për manipulim të votës dhe përdorim të paligjshëm të burimeve publike.
Masat kryesore
1. Ngritjen e një grupi hetimor (Task Forcë):
- Grupi hetimor përbëhet nga a) një Strukturë Qendrore dhe b) grupet hetimore të dedikuara në terren që do të kryejnë veprime hetimore gjatë periudhës zgjedhore.
- Struktura Qendrore do të drejtohet nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe do të përfshijë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës.
2. Monitorimi dhe Hetimi:
- Grupet hetimore në terren do të kenë në përbërje prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, staf administrativ mbështetës, të ndarë sipas 12 Qarqeve dhe 61 Bashkive.
- Grupet hetimore në terren do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor.
3. Bashkëpunimi:
- Drejtuesi i Prokurorisë, sipas vlerësimit të situatës, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtorin e Policisë së Shtetit dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.
- Një nga hetuesit e BKH-së caktohet si person përgjegjës, i cili do të jetë në kontakt të ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim shkëmbimin e informacioneve dhe të dhënave në kohe reale.
- Gjatë periudhës zgjedhore grupet hetimore në terren koordinojnë dhe bashkëpunojnë edhe me drejtuesit dhe prokurorin e gatshëm të zyrave të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, drejtuesit e drejtorive të policisë dhe drejtues të agjencive ligjzbatuese, institucioneve të tjera publike, median, shoqërinë civile dhe pushtetin lokal në rrethin që ata mbulojnë.
4. Denoncimet dhe Marrëdhëniet me Publikun:
- Do të ngrihet një platformë e posaçme për denoncime nga qytetarët dhe institucionet, duke përfshirë një numër emergjent, raportime online dhe adresë email-i. Cilësojmë se:
“Informacionet e marra nëpërmjet kësaj platforme konsiderohen të natyrës informuese. Ndërkohë kallëzime penale do konsiderohen vetëm ato që depozitohen në prokurori në formë të shkruar dhe në formë të rregullt procedurale. Prokurorët detyrohen që të marrin vendime dhe të njoftojnë kallëzuesin vetëm për këto kallëzime penale.” - Do të ngrihet një grup pune i posaçëm që do të monitorojë të dhëna e bëra publike në media dhe rrjetet sociale dhe që më pas do t’ia përcjellë këto të dhëna Strukturës Qendrore dhe grupeve hetimore në terren.
5. Monitorimi Financiar:
- Një grup pune më përbërje hetues të hetimit financiar dhe ekspertë të tjerë të fushës në Prokurorinë e Posaçme do të monitorojnë përdorimin e buxhetit dhe investimet publike të cilët nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme.
Prokuroria e Posaçme fton të gjithë qytetarët, institucionet shtetërore dhe private, shoqërinë civile, mediat dhe publikun e gjerë që të angazhohen aktivisht në mbështetje të këtij procesi, duke kontribuar në zbatimin e ligjit dhe transparencën zgjedhore. Denoncimet e dokumentuara dhe të bazuara në prova janë thelbësore për të zbuluar dhe ndjekur penalisht çdo akt kriminal që cënon integritetin e zgjedhjeve. Prokuroria e Posaçme garanton trajtim të shpejtë, profesional dhe të pavarur të çdo informacioni të marrë dhe fton publikun të përdorë kanalet zyrtare për denoncime, duke kontribuar kështu në një hetim efektiv dhe në kohë të veprave penale në kuadër të krimit zgjedhor në juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.
/rtsh.al/