E Hënë, 2 Nëntor 2026

21 Janari, filmimi me zë, “humbet” urdhri për të qëlluar

TIRANE-Një kamera e vendosur në cepin e godinës së Kryeministrisë ditën e demonstratës së dhunshme të 21 janarit 2011 ku mbetën të vrarë katër qytetarë “fsheh” misterin e madh. Pikërisht kjo kamera dyshohet të ketë filmuar të gjitha lëvizjet e gardistëve përgjatë gjithë kohës që prej momentin që janë pozicionuar para godinës së qeverisë, gjatë kohës që qëlluan me armë e deri në fund të demonstratës së dhunshme. Burime të prokurorisë thanë se, nga 11 kamera që kanë funksionuar me 21 janar 2011 të cilat gjenden të instaluara në godinën e kryeministrisë, kamera që ndodhej fiks mbi kokat e gardistëve, është e vetmja që regjistron edhe zërin.

Prokuroria dyshon se kamera ka regjistruar jo vetëm gardistët, por edhe bisedat e zhvilluara mes tyre e për pasojë edhe urdhrin e dhënë për të qëlluar me armë. Ndonëse specialisti i IT Në kryeministri, Armando Kasaj, nuk ka pranuar të ketë kopjuar pamjet e kësaj kamera dhe ta ketë formatuar më pas, ekspertët e FBI-së kanë vërtetuar krejt të kundërtën. Pamjet më parë janë kopjuar dhe më pas janë fshirë. Sipas aktit të ekspertimit të Byrosë Federale të Hetimeve, ndërhyrja në server është bërë pikërisht nga administratori Kasaj, pasi është i vetmi që ka akses në server, pasi për të bërë ndërhyrje të tilla nevojitet kodi, që e ka vetëm specialisti kryesor. Dyshimet se mund të jetë një person tjetër që ka bërë të mundur kopjimin dhe fshirjen e filmimeve të serverit, bien pasi ekspertët e FIB-së janë shprehur se vetëm Kasaj kishte akses për të bërë të mundur një gjë të tillë. “Me 21 janar kam qëndruar në detyrë deri në orën 19:30. Kam bërë kopjimin e pamjeve të filmuara nga një kamera lëvizëse dhe ja kam dorëzuar sekretarit të Përgjithshëm z.Gjergj Lezhja. Më pas jam larguar për në shtëpi. Nuk kam kopjuar apo fshirë asnjë pamje nga kamerat statike”, - është shprehur Kasaj. Dëshminë e tij e rrëzon tërësisht akti i ekspertimit të FBI-së, sipas të cilit pamjet janë kopjuar dhe më pas serveri është formatuar në mënyrë manuale në orët e para të mëngjesit të 22 janarit duke mos lënë asnjë gjurmë. Sa u përket pamjeve të regjistruara nga kamera e madhe lëvizëse i janë vënë në dispozicion prokurorisë, por në to nuk duket asgjë, por vetëm protestuesit teksa gjuajnë me gur në drejtim të punonjësve të policisë të vendosur para kryeministrisë, si dhe më pas në drejtim të forcave të Gardës.

Hetuesit e Njësisë së Specializuar Task-Forcë kërko-jmë me çdo kusht të gjejnë se në duart e kujt kanë përfunduar pamjet e kësaj kamera, pasi janë të sigurt se ekzistojnë pasi specialisti i IT tashmë në akuzë dhe “kyçur” në arrest shtëpiak, i ka ruajtur me një qëllim të caktuar. I dyshuari Kasaj edhe pse hedh kategorikisht poshtë faktin se nuk ka ndërhyrë në server, faktet flasin për të kundërtën, por “misioni” i prokurorisë është që me çdo kusht të ketë në duar pajisjen ku ndodhen këto pamje, pasi janë të sigurt se në to dallohen të gjitha lëvizjet e punonjësve të Gardës, si dhe momentet kur kanë qëlluar me armë. Mosgjetja e këtyre pamjeve duket se do të lërë të pazbardhur atë që është dhe pjesa më kryesore e hetimit dhe pyetja që bëjnë të gjithë: Kush urdhëroi të qëllohet me 21 janar?

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›