21 janari, Ndoka, Doshi dhe Stërkaj thirren në Prokurori

Dy deputetët e Partisë Socialiste Tom Doshi dhe Paulin Stërkaj si dhe kreu i PDK-së Nard Ndoka janë thirrur në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar për ngjarjet e 21 janarit ku vdiqën 4 persona dhe u plagosën disa të tjerë.
Deputetët e PS-së Doshi dhe Stërkaj si dhe kreu i PDK-së Ndoka janë paraqitur në prokurorinë e Tiranës ku janë marrë në pyetje në cilësinë e personave të cilët kanë dijeni për ngjarjen.
Pas daljes nga Prokuroria kreu i PDK-së Nard Ndoka ka theksuar se është thirrur nga organi i akuzës pasi është paditur nga policia për ngjarjet e 21 janarit. Duke i cilësuar akuzat e policisë si politike theksoi se policia e shtetit ndodhet në vështirësi të mëdha profesionale.
Ndërkohë që në ditët në vijim Prokuroria e Tiranës pritet të thërrasë të tjerë eksponentë të opozitës për t`i marrë në pyetje në lidhje me ngjarjet e 21 janarit.