“Gërdeci”, arrest shtëpie për tre të akuzuarit

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën “arrest shtëpie” për tre të pandehurit e tjerë të tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin dhe Sokol Ngjeçin. Vendimi i gjykatës vjen pasi tre të pandehurve u kishte mbaruar afati për të qëndruar në paraburgim.
Në një linjë telefonike për “Ora News” avokati Maks Haxhia sqaroi se marrja e këtij vendimi nuk do të thotë se këtu përfundon procesi gjyqësor për të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit. Sipas tij gjykimi për katër të pandehurit do të vijojë deri në konkludimet për fajësi apo pafajësi të tyre dhe se ata do të marrin pjesë në çdo seancë gjyqësore.
Ndërkohë ditë më parë Gjykata e Tiranës ka dhënë masën “arrest shtëpie” edhe për akuzuarin tjetër të tragjedisë së Gërdecit Dritan Minxolli me arsyetimin se i kanë mbaruar afatet e paraburgimit.
Në tragjedinë e Gërdecit humbën jetën 26 persona dhe rreth 300 te tjerë mbeten të plagosur. Në këtë çështje akuzohen 29 persona, civil dhe ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes, mes tyre edhe katër të arrestuar, Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO, Mihal Delijorgji, administrator i firmës Alb-demil si dhe ish-specialisti i MEICO, Sokol Ngjeçi.