E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, Ndrea Prendit i njoftohet akuza në shtëpi

Ndrea Prendi dhe Agim Llupo

Ish-komandanti i Gardës: Sflas për Prokurorinë, do shprehem në gjyq.

Prokuroria: Agim Llupo, i pandehur për dy vrasje e dy plagosje.

Prokuroria i njofton në banesë akuzën për vrasje ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Gjeneralit të liruar nga detyra në janar të këtij viti pas masës së vendosur nga gjykata, i është njoftuar akuza e vrasjes së shtetasit Faik Myrtaj. Sipas Prokurorisë, Prendi ka qëlluar me armë zjarri 11 herë në drejtim të turmës dhe për pasojë një prej plumbave ka prekur në trup demonstruesin nga Fieri, Faik Myrtaj, i cili gjeti vdekjen brenda pak minutave. Në të njëjtën kohë me njoftimin e akuzës për Ndrea Prendin, e njëjta gjë ka ndodhur për shefin e Shtabit të Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, Agim Llupon. Burime zyrtare të Prokurorisë kanë thënë se Llupos iu njoftua në ambientet e burgut akuza për vrasjen e shtetasve Ziver Veizi dhe Hekuran Deda, si dhe plagosjen e gazetarit Fatos Mahmutaj dhe dëshmitarit Hysni Peposhi. Të dy ish-zyrtarët e Gardës së Republikës, sipas Prokurorisë, akuzohen se i kanë kryer vrasjet në rrethana të cilësuara, duke qëlluar viktimat e duke vënë në rrezik jetën e shumë personave të tjerë. Njoftimi i akuzës për Ndrea Prendin dhe Agim Llupon vjen në një kohë kur Prokurorisë i ka mbetur afat hetimor deri në datën 8 maj 2012 për ta dërguar në gjykatë dosjen penale ndaj këtyre të pandehurve. Ndrea Prendi në banesën e tij, ku është lënë nga gjykata në arrest shtëpie dhe Agim Llupo në qelinë e burgut, gjatë njoftimit të akuzës kanë thënë se nuk duan të deklarohen në këtë fazë dhe se gjithçka kanë për të thënë do ta paraqesin para gjykatës. Në prag të mbylljes së dosjes penale për ngjarjet e 21 janarit, rezulton se Prokuroria ka ngritur akuzë për vrasjet e Ziver Veizit, Hekuran Dedës e Faik Myrajt, por deri tani vrasja e Aleks Nikës ka mbetur pa autor.
Vrasjet e 21 janarit
Pas ngjarjeve të dhunshme pranë Kryeministrisë, në datën 21.01.2011, grupi hetimor ka bërë këqyrjen e kufomave të viktimave. Gjatë këqyrjes janë gjetur në trupin e shtetasit Ziver Veizi dhe Faik Myrto, respektivisht nga një predhë metalike e kalibrit 9 mm, të cilat janë marrë me cilësinë e provës materiale për ekzaminime të mëtejshme. Janë këqyrur dhe marrë me cilësinë e provave materiale edhe teshat e viktimave dhe tre të dëmtuarve me armë luftarake. Po më 21 janar 2011, ora 18:00, është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, ku është parë se brenda oborrit të ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe pikërisht nga pjesa veriore e saj, janë gjetur një sasi gëzhojash, prej të cilave 131 gëzhoja të kal. 9 mm, si dhe gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, të shpërndara në mënyrë të çrregullt, të cilat janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Sipas aktit të ekspertimit tekniko-kimik të armëve e balistik të predhave, me  nr.975, datë 07.02.2011, është arritur në konkluzionin se: …predha e gjetur te viktima Ziver Veizi është qitur nga arma automatike me numër në shul 244 dhe numër të gërvishtur në pjesën plastike 244. Veprimet hetimore të mëtejshme kane vërtetuar se kjo armë është përdorur nga personi nën hetim, Agim Llupo, me detyrë shef i Shtabit (zv/komandant) i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës. Ai akuzohet edhe për vrasjen e Hekuran Dedës. Ndërkohë, sipas ekspertizës së kryer nga FBI më 5 janar 2012, ka rezultuar se arma e Ndrea Prendit ka vrarë Faik Myrtajn. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, të kryer në datën 29 janar 2011, në një nga pemët dekorative është gjetur dhe sekuestruar një predhë vetëm me një përmasë të shprehur, 9 mm, e cila është përshkruar në procesverbalin përkatës. Në ndërtesën e UNHCR-së, te kati i dytë, zyra nr.7 u gjet një predhë arme zjarri, e dëmtuar, me kalibër 9 mm dhe gjatësi 12.5 mm. Po kështu, në ndërtesën e UNHCR-së, te kati i tretë, zyra nr.12, u gjet një predhë arme zjarri, e dëmtuar, kalibër 9 mm, me gjatësi 12 mm. Sërish në ndërtesën e UNHCR-së, te kati i tretë, zyra 12, u gjet një predhë armë zjarri, e dëmtuar, me kalibër 9 mm, me gjatësi 13 mm. Në objektin e Kryeministrisë, në anën veriperëndimore të saj, pikërisht në derën metalike të hyrjes së automjeteve, brenda profilit metalik të derës, u gjetën dy copa metalike me përmasa të çrregullta. Në oborrin e Kryeministrisë, në anën veriore të saj, u gjetën njëmbëdhjetë gëzhoja kalibër 9 mm, të cilat janë qitur nga arma e zjarrit tip Beretta, e kalibrit 9 mm dhe me numër P 52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi), thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në hetim Kasaj, e Grupi i Zjarrit
Pas njoftimit të akuzave për vrasje ndaj dy gardistëve, në hetim mbeten disa oficerë të tjerë që bënin pjesë në Grupin e Zjarrit. Po kështu, hetimet po vazhdojnë edhe për ish-drejtorin e IT-së në Kryeministri, Armando Kasaj, i cili dyshohet se ka fshirë filmimet e ngjarjeve të 21 janarit nga sistemi i kamerave vëzhguese të Kryeministrisë. Në hetim, si pjesë e Grupit të Zjarrit, janë toger Spartak Zilja, n/oficer, Meleq Zaimi, Mark Nikolli, Sadik Çela dhe Gazmend Ahmetaj.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›