Komedia e Kiço Londos vjen në Tiranë
Komedia “Jo vetëm shtrirë, bëj diçka”, një bashkëprodhim i teatrit Bylis dhe atij Shëtitës, me regji të Kiço Londos, pas premierës në skenën fierake, shfaqet sot e nesër në sallën e Universitetit të Arteve. Siç do të thoshte aktori Arqile Lipe, i ardhur nga Greqia për këtë shfaqje, bëhet fjalë për një vepër pa atdhe dhe ndonëse është shkruar nga një autor anglez, ajo i rri fare mirë realitetit shqiptar. Ministra të korruptuar, inspektorë që kërkojnë ryshfete, vajza të reja në kërkim të famës përmes rrugëve më të lehta, përplasen me njëri-tjetrin duke krijuar situata komike. Kjo komedi vjen nën interpretimin e aktorëve më në zë të trupës fierake, si Luftar Paja, Arqile Lipe, Fatmir Xhelili, Mimoza Marjanaku, Doriana Çaushaj, Gerta Metaj e Brikena Sinanaj. Në veprën e Michael Pertwee, bëhen bashkë hartues ligjesh, opozitarë e pushtetarë, të cilët ndërsa zihen gafil në afera korruptive, apo edhe dashurore, kanë vetëm një merak, si të shpëtojnë karrierat e tyre. Shfaqja, një bashkëpunim i Teatrit Shëtitës dhe teatrit Bylis, ka startuar kështu turin në qytetet e Shqipërisë, ku pas Tiranës, komedia do të shfaqet edhe në Vlorë. Premiera e komedisë u shfaq më 22 mars, për të vazhduar deri në javën e parë të muajit prill në teatrin “Bylis”, Fier.