E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Në Shqipëri 1 milion të papunë, programet e qeverisë pasive e abuzive

TIRANE - Në vijim të diskutimeve për programin e ri qeverisës “Për një Rilindje Shqiptare”, Partia Socialiste mblodhi sot tryezën për punësimin. Gjatë fjalës së tij në këtë tryezë, kryesocialisti Edi Rama renditi argumentet, që sipas tij faktojnë shifrat e deklaruara nga opozita për 1 milion të papunë në Shqipëri.

“Nëse i referohemi të dhënave zyrtare, që duhen marrë me shumë rezervë, ku pranohet zyrtarisht se në çdo 2 shqiptarë në moshë pune vetëm njëri punon, atëherë pyetja që ngrihet është pse qënkan të pavërteta deklarimet tona se sot në Shqipëri janë 1 milion të papunë. Të gjithë ata që e kundërshtojnë këtë, nuk janë në gjendje të japin shifrën zyrtare. Ka shume që përpiqen të bazohen tek norma zyrtare e papunësisë, por të besosh se norma e papunësisë është 13 apo 14 % do të thotë të besosh se në çdo 8 shqiptarë vetëm njëri është i papunë, gjë që nuk ndodh. Norma 13-14% është e papranueshme.”- u shpreh shefi i opozitës.

Sipas Ramës politikat e qeverisë për uljen e numrit të të papunëve kanë dështuar, ndërsa programet e punësimit janë pasive dhe abuzive.
“Në 7 vjet qeverisje nuk kanë arritur të ndryshojnë asgjë në drejtim të punësimit. Asnjë reformë nuk ka sjellë punësim, As Shqipëria 1 euro, as Shqipëria superfuqi energjetike, as krijimi në letër i tetë zonave të lira ekonomike, as i ashtuquajturi bum i turizmit dhe as taksa e sheshtë”,- u shpreh Rama.

Duke theksuar bindjen e opozitës për nevojën e taksimit progresiv në vend, Rama shtoi se taksa e sheshtë nuk ka ndikuar aspak në rritjen e punësimit, “por vetëm ka thelluar hendekun mes një shumice që paguan më shumë duke fituar më pak dhe një pakice që paguan më pak duke fituar më shumë.
Ndër të tjera, Rama akuzoi edhe INSTAT-in se ka shkelur afatet e publikimit të rezultateve të tregut të punës. 

Kryesocialisti nënvizoi se vizioni i PS-së për punësimin bazohet në 4 shtylla kryesore, që janë: Rritja e qëndrueshme ekonomike, koordinim i politikave me tregun e punës, hapje e sektorit të punëve publike dhe fleksibilitet në marrëdhëniet e punës.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›