21 janari deshmon Ndrea Prendi
Kishim informacione se do të sulmohej kryeministria dhe parlamenti ndërsa një snajper do të qëllonte kryeministrin Berisha. Kjo është deklarata e ish komandantit të gardës së republikës Ndrea Prendi, i cili akuzohet për ngjarjet e 21 janarit të vitit 2011. Prendi ka dëshmuar sot para trupit gjykues ku ka deklaruar se para nisjes së demonstratës ka patur informacione rreth një sulmi të mundshëm ndaj kryeministrit. Ndrea Prendi tha se Garda kishte gjithashtu dyshime se mjeti që tentoi të hynte në kryeministri kishte eksploziv dhe sipas tij, kur makina shpërtheu derën e Kryeministrisë gjendja u rëndua. Pak muaj më parë në dëshminë e tij edhe shefi i komanduar i gardës Artan Hoxha dëshmoi para gjykatës se kishte informacione se do të sulmohej eskorta e kryeministrit Berisha, informacione të cilat kanë detyruar gardën e republikës të merrte masa të menjëhershme. Sipas dëshmive të dhëna nga gardistët Informacionet që disponoheshin nga policia antikrimit flisnin se një grup prej 300-400 personash, në mesin e të cilëve ndodheshin dhe kontingjentë të krimit do të sulmonin parlamentin, çka i detyroi të merrnin masa të rrepta për ruajtjen e tyre. Ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, ish-shef i shtabit të Njësisë Speciale në Gardë, Agim Llupo, dhe shoferi i ish-shefit të Gardës Margarit Kume, akuzohen për ngjarjet e 21 janarit.