Elbasan tragjedia ne dasem arrest me burg per autoret

Dy vëllezërit Eshja, të akuzuar për tragjedinë pas dasme në Jakodinë të Elbasanit, do të qëndrojnë në burg. Kështu vendosi Gjykata e Elbasanit në seancën për masën e sigurisë për Edmond Eshja 32 vjeç dhe vëllain e tij Blerim Eshja 37 vjeç. Në orët e para të mëngjesit nën masa të larta sigurie është paraqitur në gjykatë Edmond Eshja. Prokurorja e çështjes Erida Lamka ka deklaruar se bazuar në provat materiale dhe nga hetimet paraprake rezulton se Edmond Eshja në bashkëpunim me vëllain Blerim Eshja janë autorë të vrasjes së shtetasit Pëllumb Belegu 56 vjeç me banim në Çermë të Lushnjës dhe Mariglen Dushku 30 vjeç me banim në Jagodinë si dhe kanë plagosur rëndë Edmond Dushkun i cili ende ndodhet në spital. Ndaj sipas saj ai paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore e duhet ti jepet masa e sigurisë së arrestit me burg.
Autori është shprehur para trupit gjykues se nuk mbante mend se çfarë kishte ndodhur për shkak të abuzimit me alkoolin.
Trupi gjykues i kryesuar nga Bujar Musta e ka cilësuar të drejtë kërkesën e prokurores dhe ka dhënë masën e sigurisë së arrestit me burg për 32 vjeçarin.
Rreth mesditës është paraqitur në gjykatë Blerim Eshja ndaj të cilit është ngritur e njëjta akuzë dhe u dha e njëjta masë sigurie. Ai u shpreh se shkak i grindjes ishte grindja për një fëmijë. Në fund të dasmës ai shprehet se është sulmuar me makinën e Pëllumb Belegut, e cila ka ecur mbrapsht dhe e ka rrëzuar në kanal. Ai ka marrë përsipër gjithçka në këtë histori duke mbrojtur vëllain tjetër. Sipas Blerim Eshës vëllai Edmondi ka ardhur kur gjithçka kishte përfunduar.