Basha Me buxhetin e 2012 realizohet i njejti volum punesh publike sa ne 11 vitet e fundit
Tirana vuan prej dy dekadash mungesën e infrastrukturës rrugore dhe asaj nëntokësore. Rruga “Endri Keko” është një prej tyre e cila ka marrë vëmendjen e Bashkisë së Tiranës për ta përfshirë në buxhetin e vitit 2012 pas konsultimeve me qytetarët.
“Në ndërtimin e kësaj rruge janë marrë parasysh parametrat më modernë, duke filluar nga kanalizimet e ujërave të zeza e të ujrave të shiut, Gjatësia kryesore e rrugës do të ketë një gjerësi prej 13 metrash dhe në një pjesë do të ngushtohet, për të akomoduar situatën e pronarëve, në 9 metra por gjithsesi do të mbetet një rrugë e parametrave modernë europianë dhe kjo do të reflektohet edhe në praninë kudo, të rampave për personat me aftësi të kufizuar, në instalimin e të gjithë rrjetit nëntokësor të kabllove, spostimin e linjave elektrike dhe shtyllave të tensionit dhe mbjelljen e 230 fidanëve të rinj pemësh, përgjatë rrugës” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Në të dy anët e rrugës është parashikuar ndërtimi i trotuarëve për kalimin e këmbësorëve. Ky investim, i përfshirë në buxhetin e vitit 2012, pas konsultimeve me qytetarët, do të përfundojë brenda 10 muajsh. Rikonstruksioni i kësaj rruge u shërben rreth 3000 qytetarëve të zonës.
“Bashkia ndodhet në fazën e zbatimit të projekteve të hartuara me profesionalizëm dhe të prokuruara në transparencë të plotë, në muajt e kaluar dhe brenda marsit të vitit të ardhshëm, shumica e këtyre punimeve do të kenë përfunduar dhe me përfundimin e tyre, brenda një viti e gjysmë, do të kemi realizuar të njëjtin volum punësh publike, që qyteti dhe Bashkia kanë njohur për 11 vitet e kaluara” – theksoi z. Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha bëri të ditur se ka përfunduar dhe projekti teknik për rehabilitimin e shtratit të Lanës dhe pritet financimi i tij nga qeveria shqiptare.
“Një lajm tjetër i mirë për këtë zonë të qytetit, është se ne kemi përfunduar projektin teknik për rehabilitimin e plotë të shtratit të Lanës, nga pjesa ku mbaron këtu dhe deri në Shkozë, projekt për të cilin, në ditët e ardhshme, do të negociohet financimi me qeverinë shqiptare dhe kam shumë shpresë e besim, se mund të inaugurojmë fillimin e punimeve brenda një kohe të shkurtër” – theksoi Kryetari i Bashkisë.