“21 janari”, kreu i SPAK, letër familjarëve të 4 viktimave: S’është në kompetencën tonë, hetimet nga Prokuroria e Tiranës

“21 janari”, duket se vijon të jetë ende një temë mjaft e nxehtë dhe mjaft e ndjeshme. Pak ditë më parë SPAK, bëri të ditur se nuk kishte kompetencë për të hetuar ngjarjen e 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë 4 persona në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Shpallja e moskompetencës erdhi pasi familjarët e viktimave të “21 janarit”, dorëzuan një kallëzim ku kërkonin hetimin e çështjes pas publikimit të një materiali audio, ku pretendohej se ishte dhënë urdhër për të vrarë protestuesit në Bulevard.
Pas disa ditësh verifikimesh, Prokuroria e Posaçme vlerësoi se nuk kishte kompetente për të hetuar çështjen dhe i dërgoi materialet në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka një hetim të hapur për çështjen e “21 Janarit” dhe po kryen veprime hetimore për vrasjen e dy protestuesve, Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, për të cilat nuk ka ende autor.
Familjarët kanë kërkuar që të hetohen si përgjegjës për “21 janarin”, ish- kryeministri Sali Berisha, ish- ministri Brendshëm, Lulzim Basha, gardisti Andrea Prendi, si dhe ish-komandanti i Gardës, Agim Llupo.
Nisur nga ky kallëzim, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, iu është përgjigjur të martën me një letër familjeve të viktimave të “21 janarit”, nëpërmjet së cilës ai argumenton arsyet se përse dosja e “21 janarit” është pjesë e hetimeve nga Prokuroria e Tiranës dhe jo nga SPAK.
Por, sipas SPAK, nga hetimet e kryera deri më tani nga Prokuroria e Tiranës, nuk ka asnjë element që sugjeron përfshirjen e tyre në këtë ngjarje. Si pasojë, Prokuroria e Posaçme sqaron se nuk është kompetencë e saj që të marrë në shqyrtim dosjen.
“Nga përmbajtja e materialit kallëzues dhe verifikimi i kryer (pavarësisht se kallëzimi penal është depozituar në Prokurorinë e Posaçme duke kallëzuar subjekte të posaçëm për kryerje veprash penale në kuadër të një organizate kriminale) evidentohet e dhëna se, në lidhje me objektin e kallëzimit dhe faktet e përmendura, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë po kryen hetime në kuadër të procedimit penal, për vepra penale që nuk janë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme. Gjithashtu, deri në këto momente të hetimit që po kryhet nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, nuk rezulton të jenë identifikuar autorët e veprës penale dhe si rrjedhim nuk është arritur të provohet si autorë mund të jenë subjekte të posaçëm.”- thuhet në përgjigjen e kreut të SPAK, Dumani.
Sipas tij, nëse në vijim të verifikimeve apo hetimeve, do të konstatohet ekzistenca e ndonjë vepre penale apo subjekt në kompetencë hetimi, atëherë aktet e procedimit penal do të dërgohen për kompetencë lëndore në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
/rtsh.al/