Akreditohet Akademia e Sigurisë, institucioni unik i formimit policor në Shqipëri

Bordi i Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, akreditoi për herë të parë Akademinë e Sigurisë si institucion të lartë të formimit akademik, njofton Policia e Shtetit në një status në rrjetet sociale.
Ekspertët, shqiptarë dhe të huaj vlerësuan një sërë elementesh si: kapacitetet logjistike të Akademisë së Sigurisë, standardet europiane të kurrikulës, nivelin akademik të pedagogëve, potencialin e këtij institucioni për kërkime shkencore, si dhe rolin kyç që luan Akademia, në formimin dhe stimulin profesional të brezave të rinj që do të mbajnë peshën publike të misionit të Policisë së Shtetit.
Rektori i Akademisë së Sigurisë Prof.Ilirjan Mandro vlerësoi se akreditimi i Akademisë së Sigurisë përbën një moment të rëndësishëm në historinë e Policisë. Ai tregon tregon efektet pozitive të reformave të ndërmarra së fundi për ridimensionimin akademik të këtij institucioni, si dhe motivon për përmbushjen e prespektivave për të ardhmen.
E krijuar me një vendim të posaçëm të qeverisë shqiptare më 25 shkurt 2015, Akademia e Sigurisë, vijon të mbetet guri i themelit të formimit të mijëra punonjësve të Policisë, të cilët gjenden sot pranë qytetarëve, në mbrojtje të jetës, pronës dhe të drejtave të tyre.
/ rtsh.al /