E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, piramida dhe mumjet komuniste

14-07-2012 / Nga Ilirian Dahri

Kanë harruar për disa ditë kolerën që ka mbërthyer vendin komunist. Kanë harruar vdekjet e njerëzve që gjithsesi në deklaratat e tyre kanë qenë të minimizuara. Ka patur përqafime dhe përlotje në takimet e tyre. Nuk kanë folur për vdekjet e mbjella nga regjimet komuniste por ka patur vizita tek mumjet e balsamosura. Thyhet në këtë mënyrë akulli që ekzistonte prej 23 vitesh në aleancën mes Rusisë dhe ishullit të  Kubës. Raul Kastro ka kryer një vizitë zyrtare 3 ditore në Moskë dhe nuk ka dashur të zbatojë ngushtë protokollin por nuk ka hezituar aspak t’u drejtohej kolegëve me fjalën “shoku”. Ka kërkuar gjëra të çuditshme duke vënë në vështirësi  kolegët dhe “shokët”e tij. Vizita më e çuditshme ka qenë në mausoleum e Leninit që shfaqet në sheshin e kuq. Natyrisht me këtë rast nuk kanë munguar edhe shifrat. Vizitorë dhe pelegrinë, që prej 21 janarit 1924 e deri më sot, kanë qenë 20 milionë vizitorë. Sidoqoftë nuk janë lejuar as gazetarët Presidenti i Këshillit të shtetit kuban ka ndaluar shumë gjatë tek mumja e Leninit e cila mbahet ende me anë të një procesi akoma sot e kësaj dite shumë misterioz. Flitet se për këtë proces janë dhënë këshilla nga vetë Lenini dhe pastaj trupi i tij pas urdhrave të Stalinit u dërgua në një dhomë me temperaturë të kontrolluar. Prej 80 vjetësh trupi i tij trajtohet periodikisht në mënyrë që të ketë gjithmonë një aspekt jetësor. Një herë në javë shihet për të parë nëse ka myk ose fenomene të tjera që mund të prishin “mrekullinë”, çdo 18 muaj futet në një vaskë me substanca kimike. Një mumje, e çarë nga fillimgjoksi deri poshtë ku është vendosur një napë e bardhë mbuluese. E zhveshin, i heqin kostumin e zi, këmishën ngjyrë rozë, pastaj kravatën me pikla blu. Gjithsesi teknika e përdorur nga patologu ukrainas Vladimir Vorobiov, bashkë me mjekun Boris Zbarsky dhe një staf specialistësh është ende e mistershme. Raul Kastro natyrisht ka kërkuar të zbriste në tunelet e mauzoleut aty ku është laboratori që merret me trupin e Leninit. Një privilegj që u lejohet vetëm pak personave veçanërisht liderëvë politikë që kanë raporte historike me Rusinë. Gjithsesi kjo ka ngjallur interes të shumtë në rrjetet sociale ruse. Shumë moskovitë të apasionuar nga vizita e presidentit kuban mendojnë se ai kërkon që në të ardhmen të balsamosë trupin e Fidelit, liderit të madh (Maximo). Dhe idea e një mauzoleu me trupin e komandantit që çliroi Kubën nga diktatura e Batistës, por që ai vetë e ktheu në një burg, ka kohë që vërtitet në kokën e zyrtarëve kubanë. Nuk dihet gjithsesi nëse i vëllai ka zbuluar të gjitha sekretet e terapisë së “magjishme”. Një opcion tjetër i mundshëm flitet se është edhe ndërtimi i një piramide si ajo e diktatorit komunist dhe gjakatar Enver Hoxha. Sidoqoftë presidenti nuk është marrë vetëm me mumjet dhe teknikat e sofistikuara të balsamosjes së tyre. Ka takuar presidentin rus Vladimir Putin për të vazhduar me “kontaktet dypalëshe të niveleve të larta dhe ishte i treti mes liderëve të dy vendeve” pas atyre që u celebruan në vitin 2002, në Havana dhe në 2009 në Moskë. Delegacionet kanë folur për zhvillimin dhe kooperimin në sektorë të ndryshëm sidomos në atë të tregtisë, në investimet dhe në ekzekutimet e projekteve “të energjisë dhe transportit”. Ka qenë një takim shumë miqësor me përqafime të të dy liderëve.  Pas një lloj pauze pas viteve ‘90, Rusia dhe Kuba kanë rilidhur kooperimin që kishin edhe më përpara. Në vitin 2006, kryeministri i atëhershëm i Rusisë, Mikhail Fradkov kreu një vizitë në Kubë, duke zgjidhur problemet që kishin të bënin me borxhin kuban. Dhe pikërisht asokohe rusët i dhanë një hua prej 355 milionë dollarësh Kubës. Me ato para u blenë pjesë këmbimi për mjetet që vetë Rusia i kishte dhënë regjimit komunist të Kubës. Sot shkëmbimet mes vendeve janë aty tek 220 milionë dollarë. Kërkohet nga të dyja palët një zhvillim i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik meqenëse Kuba ka burime të shumta të lëndëve të para. Madje në zonën kubane të Gjirit të Meksikës specialistët e shoqërisë ruse Gazpromneft po zhvillojnë punime për të eksploruar për naftë dhe puse të reja. Mundësitë janë të mëdha edhe në turizëm sepse ka shumë rusë që zgjedhin Kubën për pushime. vitin e kaluar fluksi i turistëve rusë është rritur me 30%. Ndërkaq sipas të gjitha gjasave bashkëpunimi do të shtrihet edhe në proceset e balsamosjes.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›