Brukseli: Rezultate të prekshme në reforma - brenda vjeshtës do jepet statusi

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, pas njoftimeve se është arritur konsensusi paraprak për reformën zgjedhore, inkurajon miratimin e projektit brenda javës së ardhshme, çka do të interpretohej si një hap i rëndësishëm për përfundimin e marrëveshjes politike të nëntorit të 2011-s
Deklarata/Fyle: “Palët të aprovojnë pa humbur kohë heqjen e imuniteteve”
Pas finalizimit të reformës zgjedhore dhe nisjes së diskutimeve për heqjen e imunitetit, Bashkimi Evropian e sheh me optimizëm zbatimin e marrëveshjes së nëntorit, në përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian.
Stefan Fyle, Komisioneri për Zgjerimin në KE, teksa përshëndet marrëveshjen e arritur të mërkurën për Kodin Zgjedhor, vlerëson se marrëveshja ndërpartiake për reformën zgjedhore në komisionin e posaçëm parlamentar, është një zhvillim i mirëpritur. Fyle thekson se reforma elektorale nuk është vetëm një nga prioritetet kyçe të opinionit të KE, por është edhe esenciale në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 2013.
“Qoftë mazhoranca dhe opozita duhen vlerësuar për këtë marrëveshje, ashtu si dhe puna e mirë teknike e përfunduar. Nëse Kodi Elektoral miratohet javën e ardhshme siç është planifikuar kjo do të përbënte një hap të rëndësishëm përpara për përfundimin e marrëveshjes politike të nëntorit. Reforma elektorale nuk është vetëm një nga prioritetet kyçe të opinionit të KE, por është edhe esenciale në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 2013”, u shpreh Fyle.
Takimi i 5-të i Komitetit të Stabilizim Asociimit - Shqipëri – BE, përfundoi me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët (me konsensusin e PD dhe PS), ku vëmendje të veçantë i kushtohet zbatimit të reformave me qëllim akordimin e statusit të vendit kandidat në vjeshtë të këtij viti.
Në këtë drejtim, Komisioneri Fyle deklaron se arritja e një masë të konsiderueshme rezultatesh brenda vjeshtës, do rezultonte efikase në rrugën e integrimit evropian.
“Mazhoranca qeverisëse dhe opozita duhet të ndërtojnë mbi këtë zhvillim të mirë dhe të thellojnë më tej dialogun politik dhe bashkëpunimin për të përfunduar punën e nisur në prioritetet e tjera kyçe të opinionit të Komisionit Evropian dhe të arrijnë një masë të konsiderueshme rezultatesh brenda vjeshtës. Reformat në sundimin e ligjit përbëjnë një faktor kyç për të ecur përpara në rrugën e integrimit në BE. Në këtë kuadër votimi për heqjen e imuniteteve në përputhje me standardet evropiane do të ishte një element i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Inkurajojmë të gjitha palët që të kontribuojnë për të intensifikuar përpjekjet në këtë drejtim dhe të tregojnë një qëndrim konstruktiv”, thuhet më tej në deklaratën e Komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle.
Dy ditë më parë, Komiteti i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri miratoi deklaratën e përbashkët me 8 pika, ku përshëndetet zgjedhja e presidentit të ri, arritja e marrëveshjes për reformën zgjedhore, nisma për heqjen e imunitetit si dhe klima për përmbushjen e marrëveshjes së nëntorit të shkuar.
Padyshim që me këtë rezolutë, marrja e statusit të vendit kandidat në BE, është jo vetëm një mundësi, por edhe një realitet plotësisht konsistent në rrugën e integrimit në familjen e madhe evropiane.