E Diel, 1 Nëntor 2026

21 janari, vrasja e Aleks Nikës, xhaxhai: Prokuroria u bë palë me pushtetin

TIRANE - Vrasja e Aleksit nuk u zbardh sepse provat u manipuluan. Prokuroria u bë palë me pushtetin në hetimet për vrasjen e nipit tim…". Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një prej katër viktimave të 21 janarit, shprehet i zhgënjyer për faktin se prokuroria nuk e ka zbardhur vrasjen e babait të dy vajzave. Sipas xhaxhait të Aleksit, prokuroria gaboi rëndë duke mos vepruar në kohë çka la hapësirë që të manipuloheshin provat. Për Mark Nikën, dosja e vrasjes së Aleksit do të shkojë drejt arkivimit, por ai deklaron se familja nuk do të ndalet derisa të gjejë të vërtetën, madje qoftë dhe duke "trokitur" deri në Gjykatën e Strasburgut, apo në dyert e institucioneve të Europës.
Z.Nika, prokuroria mbylli të hënën dosjen për ngjarjet e "21 janarit", duke pohuar se ka zbardhur tri nga vrasjet në Bulevard, por vrasësi i nipit tuaj nuk është identifikuar ende. Si ndiheni?
Jemi të zhgënjyer. Dëmi që na është bërë ne, është i madh, na është mbyllur shtëpia. Aleksi ka katër motra dhe ka lënë gruan dhe dy vajza të vogla. Prokuroria në këtë çështje u bë palë me pushtetin. Ne dyshojmë se provat janë manipuluar. Zvarritja ishte e panevojshme, siç ka thënë një analist i njohur, ky krim lindi i zbardhur. Mosveprimi në kohë i prokurorisë, solli si pasojë deformimin dhe manipulimin e provave në vendngjarje.
Ku bazoheni kur deklaroni se provat janë manipuluar?
Ne dyshojmë që plumbi që u hoq nga koka e Aleksit është dëmtuar nga policia, ose në Turqi ku u dërgua për kurim. Pastaj është e çuditshme sesi u deshën plot dy muaj që plumbi të vinte në Shqipëri. Edhe prokurorja e Përgjithshme ka pranuar në një intervistë që vetë punonjësit e Gardës janë parë, filmuar e duke mbledhur gëzhojat në vendin e ngjarjes. Nëse prokuroria do të kishte marrë në kohë provat do të kishte mundësinë për të identifikuar autorët e vrasjeve dhe plagosjeve të demonstruesve.
Konkretisht në rastin e vrasjes së nipit tuaj, çfarë dyshimesh keni?
Sa i përket vrasjes së nipit tim, prokuroria ka arritur në përfundimin që plumbi vrasës që është gjetur në kokën e Aleksit, është plotësisht i deformuar dhe rrjedhimisht është i paidentifikueshëm nga ekspertimi balistik. Ne, që në fillim kemi dyshuar dhe dyshimi ynë është i bazuar në prova, për shkak se nga kqyrja që i është bërë skanerit të kokës rezulton se, trajektorja e plumbit është në pozicion të pjerrët, plumbi është në pozicion të drejtë, dhe jo të tërthortë dhe duket me sy të lirë, që është i paprekur, i pacënuar, pra nuk ka rikoshetë. Ne kemi dyshuar që në fillim dhe vazhdojnë të dyshojmë se plumbi është dëmtuar pasi është hequr nga koka e Aleksit. Këtë e bazojmë dhe në informacion teorike që kemi, plumbat e kësaj arme që përdor Garda e Republikës, (automatik MP5) kanë fuqi shpuese, që nuk mund të deformohen nga goditja me kokën e viktimës. Është plotësisht e verifikueshme, nëse plumbit i është bërë dëmtim mekanik. Prokuroria duhet të gjejë arsyet përse u deformua plumbi.
Ku mendoni se gaboi prokuroria ?
Prokuroria dështoi që në momentin që thirri për të ndaluar gardistët që vranë nipin tim. Meqë policia nuk i zbatoi urdhrat e prokurorisë, ajo duhet ta ndërkombëtarizonte çështjen, me Presidentin, me opozitën me faktorin ndërkombëtar. Në momentin që pësoi këtë dështim, kryeprokurorja Ina Rama duhet të dorëhiqej, ose të kërkonte ndihmën e ndërkombëtarëve. Ky është një dështim i prokurorisë. Pa dënuar urdhëruesit e vrasjeve të 21 janarit, nuk del e vërteta. Akuzat i kanë lënë të tillë, që mund t'i mbyllë gjykata, me arsyetimin se ekspertimi është evaziv.
Sipas mendimit tuaj, kush urdhëroi gardën të qëllonte me 21 janar?
Për mua është e kuptueshme, vrasjet me 21 janar i urdhëroi ministri i Brendshëm.
Prokuroria deklaroi zyrtarisht se hetimet do të vazhdojnë. Mendoni se vrasja e Aleksit do të zbardhet?
Deklarata e prokurorisë se do të vazhdojë hetimet lidhur me vrasjen e Aleksit, është vetëm sa për të "kaluar klasën". Mesa kuptojmë, prokuroria nuk ka çfarë të hetojë tjetër veçse të shprehet së shpejti se nuk mund të identifikojmë autorin. Çështja po shkon drejt arkivimit.
Ju si familje do të ndërmerrni ndonjë hap konkret për të mësuar se kush e vrau Aleksin dhe përse e vranë?
Pavarësisht qëndrimit që do të mbajë prokuroria, ne do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore në Shqipëri, siç është Gjykata e Lartë e ajo Kushtetuese. Do të shkojmë deri në Gjykatën e Strasburgut. Nuk e falim gjakun e djalit tonë. Pavarësisht nga manovrat juridike që bën prokuroria, e ndikuar besoj dhe nga politika, ne do ta ndjekim këtë çështje. Prokuroria duhet të zbardhë, kush i vrau qytetarët e pafajshëm sepse u vranë pa faj, kush urdhëroi të vriten qytetarë në Bulevard. Nuk ka ushtri dhe gardë që vepron pa urdhër. Më 21 janar ka pasur një skenar, që kjo prokurori e sotme nuk mundet ta zbardhë. Është çnjerëzore kur e mendon se janë vrarë qytetarë të pafajshëm, as fashizmi nuk vret njerëz në rrugë. Dëmi që ne kemi pësuar është shumë i madh. Pjesa jonë është që t'i drejtohemi institucioneve të Europës, të paktën politikisht të na mbrojnë, se juridikisht ne e dimë rrugën. Ne nuk do ta lëmë asnjëherë këtë çështje derisa ta gjejmë të vërtetën sepse Aleksi është vrarë në rrugë, me duar në xhepa.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›