E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 mln dollarë nga BB-ja për sigurinë e digave

Marrëveshja u nënshkrua sot me Bankën Botërore, ku firmëtarët ishin edhe ministri i Financave, Ridvan Bode si dhe kreu i KESH-it, Engjëll Zeqo.

Financimi shtesë do të plotësojë kredinë origjinale të IDA-s prej 35.3 milionë USD për të mbështetur qeverinë në sigurimin e hidrocentraleve më të mëdha të vendit mbi kaskadën e Drinit. Ai gjithashtu do të ndihmojë në përmirësimin e efiçencës operacionale dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji për tregun rajonal të energjisë.

Huaja shtesë do të mbështesë plotësimin e dy aktiviteteve kryesore, rehabilitimin e ujëshkarkuesve në tri digat e kaskadës së lumit Drin (hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut i Dejës); si dhe rehabilitimin e hidrocentralit të Komanit nëpërmjet rinovimit të pajisjeve elektro-mekanike dhe zëvendësimit të sistemeve ekzistuese të kontrollit, mbrojtjes dhe monitorimit.

 “Ky financim shtesë do të mundësojë zbatimin e suksesshëm të projektit origjinal, duke kontribuar në këtë mënyrë për sigurimin e hidrocentraleve kryesorë të Shqipëri dhe duke ndihmuar në parandalimin e një fatkeqësie të mundshme nga një prishje e digës,” tha Kseniya Lvovski, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri. Programi APL i Komunitetit të Energjisë të Evropës Juglindore – APL 5 për Projektin e sigurisë së digave të Shqipërisë është pjesë e një programi më të madh për sigurinë e digave, i financuar paralelisht nga donatorë të tjerë si SECO-Zvicër, KfW Gjermani, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Qeveria e Shqipërisë. /Start/

                                                                                             2012-02-17 13:46
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›