E Diel, 1 Nëntor 2026

220 voltëshi i korrupsionit përshkon opozitën

19-04-2012 / Gazeta 55

Opozita shqiptare ka demonstruar dje, jo vetëm se është një avokate e korrupsionit, por se e “ka ngritur stekën” nga niveli 20 për qind, në 30 për qind. Rreshtimi pranë pagatorëve të mafias ballkanike dhe jo në llogoren e taksapaguesve shqiptarë e ka zbuluar opozitën e Edi Ramës si një segment politik të përshkuar, jo nga transparenca e interkonjeksionit me Kosovën, por nga 220 voltëshi i skemave të korrupsionit 

Berisha: Opozita qëndrim mafioz për të vënë në presion fituesit

Opozita shqiptare ka demonstruar dje, jo se është një avokate e korrupsionit, por se e “ka ngritur stekën” e saj, nga niveli 20 për qind, në 30 për qind.

Ka qenë Edi Rama që ka konfirmuar dje “pozicionin” e avokatit  të 30 përqindëshit, e “përkthyer”, për akuzat ën erë për linjën e interkonjeksionit me Kosovën, në konfirmim të tijin, si avokat i kontratës më të shtrenjtë.

Sjellja më e fundit e opozitës, është një histori korrupsioni që po e përshkon tejpërtej sjelljen politike të opozitës dhe po rrëzon rekordet e mbështetjes së saj te publiku.

Ndaj sjelljes së opozitës, ka reaguar dje sërish Kryeministri Sali Berisha.

Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje opozitën se po përpiqet të nxijë procesin e koncesioneve në Shqipëri, duke i cilësuar qëndrime të tilla si kryekëput mafioze, për të vënë nën presion fituesit. 

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Berisha theksoi se akuzat e opozitës kanë përfunduar që të gjitha aty ku e kanë vendin shpifjet dhe trillimet. “Përpjekjet për ta baltosur këtë proces përfunduan që të gjitha aty, ku e kanë vendin shpifjet e trillimet. Përpjekjet e stilit e të tipit më mafioz, për të bërë presione mbi fituesit e këtyre koncesioneve, duke përbaltur një proces të ndershëm, ishin kryekëput shprehje e interesave të pandershme të grupeve dhe rretheve të caktuara, të akuzave që u faktuan që të gjitha, pa asnjë përjashtim, të pabaza, të pavërteta, trillime dhe shpifje. Natyrisht, pasi doli se ato ishin tërësisht trillime, nga sirtarët u nxor qëndrimi i ri, i cili ishte anulimi i tyre”, u shpreh Berisha. 

Duke iu përgjigjur drejtpërdrejt deklaratave të kryesocialistit Edi Rama se kur PS-ja të vijë në pushtet do të anulojë të gjitha koncesionet e firmosura nga kjo qeveri, Berisha theksoi se ata të cilët dalin kundër zhvillimit të vendit të tyre nuk mund të vijnë kurrë në pushtet. “Me këto praktika, sa të rrjedhë në det uji i lumenjve, ata që ngrihen kundër zhvillimit të vendit të tyre nuk mund të vijnë ndonjëherë në pushtet. Të deklarosh se do të anuloj ndërtimin e 320 hidrocentraleve, do të thotë të mbledhësh të gjitha fuqitë negative të natyrës dhe t’i derdhësh kundër vendit tënd, për të sterruar një proces jetik, në të cilin asetet, pasuritë shndërrohen në vlera”, theksoi kryeministri.

Ndërkohë, pas suksesit me prokurimet publike on-line, qeveria shqiptare nis tashmë edhe aplikimin online për kontratat me koncensionet. Ky proces do të jetë 100 për qind elektronik, dhe sikundër tha kryeministri Berisha është hapi i dytë i madh në këtë fushë që në qeverisjen e socialistëve ishte plotësisht e dështuar. Në kontratat e koncesioneve. Tha Berisha janë të firmosura 3 miliardë euro investime dhe mbi 100 mijë vende të reja pune. 

“Ne ishim vendi i parë në planet që kaluam në 100 për qind prokurime elektronike. Ne bëhemi vendi i parë me koncesione 100 për qind elektronike. Ky vendim dhe instalimi i kësaj praktike bën të mundur futjen e rrezes së diellit në çdo qelizë të procesit të koncesioneve dhe përbën suksesin e dytë më madhor në historikun e këtij procesi, pas miratimit të ligjit të ri për koncesionet. Ky ligj i shndërroi koncesionet nga një proces tërësisht i dështuar me ligjin e mëparshëm, në një prej proceseve më të suksesshme në historinë e ndonjë vendi. Dua të informoj shqiptarët se ky sukses është kulmor në fushën e energjisë së rinovueshme. Gjatë këtyre viteve, autoritetet përgjegjëse përkatëse, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka firmosur me sektorin privat, kontrata për ndërtimin e 320 hidrocentraleve, në qindra burime ujore, të cilat rridhnin në det e lumenj si lëndë pa vlera energjetike. Ky ligj bëri të mundur ndezjen e një gare të paprecedentë, në një kohë të shkurtër. Duke pasur parasysh rëndësinë kapitale të këtij procesi për zhvillimin ekonomik të vendit, unë mund t’u them se mbi këto kontrata janë të firmosura minimumi 3 miliardë euro investime, janë të firmosura minimumi mbi 100 mijë vende pune, që krijohen në procesin e ndërtimit të këtyre hidrocentraleve kudo, nga jugu gjer në Alpe”, tha kreu i qeverisë. 

Për kryeministrin Berisha, kalimi në procedurë tërësisht elektronike përbën gjithashtu një hap shumë të madh në përpjekjen e ekzekutivit për të konsoliduar partneritetin për një qeveri të hapur, një nismë kjo e dy viteve më parë, nga Presidenti Barack Obama dhe Presidentja e Brazilit Dilma Rouseff. 

Berisha informoi gjithashtu se nga një studim i Universitetit të Kembrixhit në Britani, Shqipëria renditet e treta për qeverisjen e hapur. 

“Shqipëria këto ditë ka shënuar një nga rezultatet më të shkëlqyera: vendin e tretë në botë, sipas një fondacioni të universitetit të Kembrixhit që vlerëson hapjen drejt të dhënave dhe në të dhënat e korporatave, ne lëmë mbrapa të gjitha vendet e tjera të kësaj liste, përveç Britanisë së Madhe dhe një vendi tjetër, që janë para nesh. Ky është një hap i madh që na inkurajon. Ne nuk do të lëmë përpjekje pa bërë dhe do ta përdorim këtë nismë si mekanizëm kryesor të përsosjes së qeverisjes sonë, do të ndërmarrin çdo reformë, do të miratojmë çdo ligj, që të jemi e të konsolidohemi si një qeverisje e hapur”, tha ai.

Kryeministri nuk la pa prekur në mbyllje të fjalës së tij nismën e socialistëve për të bërë listat e zgjedhësve në njësitë e vendore, duke e konsideruar krijimin e këtij fondi partiak të të dhënave personale të qytetarëve si sipërmarrje të rrezikshme që nuk do të ketë sukses. “Po bëhen përpjekje shumë të mëdha, të dështuara kryekëput, për të krijuar fonde partiake të të dhënave personale, por kjo nuk mund të ndodhë. Partitë janë veças, të dhënat personale janë të individit dhe ato mbrohen me ligjin e një vendi demokratik, në mënyrën më të vendosur”, tha ndër të tjera kryeministri Berisha.

Qeveria ndalon çdo artikull pa kod doganor

Kryeministri Berisha kërkoi dje, në mbledhjen e qeverisë, ndalimin e importit të çdo lloj artikulli që nuk ka kod doganor, edhe në rast se ai përfshihet në listën e gjelbër të lëndëve të  para që lejohen të importohen për përpunim. Pas diskutimit të vendimit “Për autorizimin e “AMA RECLYCLING” për importin e mbetjeve metalike të aluminit dhe bakrit, për qëllime riciklime”, Kryeministri theksoi se janë vërën re se një seri artikujsh kanë qenë pa kod doganor. 

Për këtë, Kryeministri i kërkoi Ministrit të Financave dhe Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave që të arrihet në një memorandum për të gjitha veprimet që duhet të kryejë dogana, për hyrjen e këtyre mbetjeve. 

Qeveria, theksoi Kryeministri, do ndalojë çdo lloj importi të atyre artikujve, pavarësisht përfshirjes në listën e gjelbër, që nuk kanë kod doganor. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›