Shkërmoqet opozita, Milo: Do dalim nga koalicioni, PS humb 4 deputetë në zgjedhjet e ardhshme

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo, iniciator i tryezës së partive politike për reformën zgjedhore, shprehet se dy partitë e mëdha, të ftuara në këtë takim, duhet të dëgjojnë dhe të reflektojnë mbi kërkesat e partive të vogla. Ai jep detaje mbi këto kërkesa konkrete, të cilat do të diskutohen në takim. Përsa i përket koalicioneve, kreu i Demokracisë Sociale nuk përmend për asnjë moment në mënyrë specifike bashkëpunim me Partinë Socialiste. Ai thotë se do të shohë interesat politike të partisë që përfaqëson, duke lënë të hapur edhe një koalicion me Partinë Demokratike. Ndërkohë presioni i aleatëve vazhdon prej disa ditësh. Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Vangjel Dule, Nard Ndoka dhe Petro Koçi kanë paralajmëruar krijimin e një koalicioni brenda të majtës, por pa Partinë Socialiste. Në bazë të përllogaritjeve matematikore, pa votën e 5 aleatëve, PS humb 4 mandate deputetësh në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës. Megjithatë, rezistenca e të “vegjëlve” ka nisur nga reforma në Kodin Zgjedhor. Drafti që do të propozohet në tryezën e partive politike, për ndryshimet në reformën elektorale, mësohet se i është dërguar edhe Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Qëndrimi zyrtar i aleatëve do bëhet publik pas përfundimit të reformës zgjedhore, afati i së cilës është brenda këtij muaji.
...