23 qershori, revolucion me votë. Me Metën do ulemi për planin qeverisës
Tiranë- Edi Rama, kryeministri i ardhshëm i vendit ka folur në Top-Story; Shqipëria Vendos, për gazetarin Sokol Balla, duke komentuar zhvillimet e fundit, pas udhëtimit në shenjë falenderimi për elektoratin që i besoi vendimmarrjen.
Sokol Balla- Zoti Edi Rama, riktheheni nga Lezha dhe keni premtuar që do të nisni tashmë një tur të ri falenderimesh në të gjithë Shqipërinë?
Edi Rama - Patjetër që do të falenderoj të gjithë në çdo qark. është një detyrim që do ta bëj me përkushtimin dhe përultësinë më të madhe.
Sokol Balla- Zoti Rama, në vitin 1998 ju mbërritët në Tiranë për një çështje personale dhe pas pak kohe u futët në qeveri. 15 vjet pas nisjes së projektit që përfundoi me dy gola, atë që ju bën kryeminstrin dhe tjetrës që i jep fund epokës së dominimit të politikës shqiptare nga zoti Berisha, ju si ndihen?
Edi Rama - Të them të drejtën nuk e përjetoj si një triumf personal dhe jam shumë i sinqertë në këtë pikë. Vota e 23 qershorit ishte një votë e barabartë me një revolucion të heshtur me votë. Për mua nuk është një votë që ndryshon një qeveri nga një tjetër, por një votë për një ndryshim shumë më të madh dhe kjo paralelisht me gëzimin e natyrshëm rrit shumë edhe përgjegjësinë, rrit shumë edhe nevojën për të qenë të vetëdijshëm se shqiptarët nuk kanë luftuar për të na dhënë ne mundësinë të ulemi në karrige, por na kanë vënë në krye të punëve për të bërë për ta ndryshimin që besoj jua bëmë më të afërt duke i zgjuar një shpresë që dukej sikur nuk do të zgjohej më në kushtet e një rrënimi të përgjithshëm.
Sokol Balla – Folët për zgjedhje të lira, por këtu ka një bindje që përjashto ngjarjet e Laçit dhe disa incidente, përfshirë edhe pak incidente në fushatë, kemi pasur fushatën më të lirë dhe të mirë ndonjëherë. Nuk i njihni qeverisë aktuale ndonjë meritë?
Edi Rama - Për mua, kur flas për zgjedhje të lira flas për vendosjen e rezultatit nga vullneti i popullit, kurse përsa i përket lirisë së gjithë procesit mendoj se ka ende shumë për të bërë akoma, sepse nuk mund të quhet proces i lirë ku njerëzit realisht u dhunuan psikologjikisht, për të marrë pjesë me pahir në fushatën e partisë në pushtet dhe në këtë aspekt, kur them që ka shumë për të bërë, do të fillojmë atë që kemi premtuar, duke mbledhur të gjitha dëshmitë e të gjithë atyre që pa dëshirën e tyre, duke qenë pjesë e administratës, janë detyruar të bëhen pjesë e fushatës e do të ndëshkojmë sjelljen e të gjithë drejtorëve që kanë shpërdoruar detyrën duke bërë pjesë njerëzit të diçkaje që nuk donin të ishin. Mbylljet e shkollave dhe shërbimeve të ndryshme nuk mund të mos ndëshkohen, jo për të marr ndonjë hak, por për të mos lejuar që kjo të ndodhë përsëri edhe më vonë.
Andrea Stefani – Folët se fitorja është e një modeli mbi një model tjetër dhe kërkohet një model i ri qeverisje. Në librin tuaj Kurban, duke bërë analizën e ndryshimeve kushtetuese, pranoni me tone autokritikë se për disa nga aty ndryshime, në vend që të vinim vetulla nxorrëm sytë. Çfarë planifikoni të bëni për të riparuar atë dëm që është bërë për rivendosjen e balancës së pushtetit?
Edi Rama - Kjo është një çështje e hapur dhe më lejoni që tiu përgjigjem shumë thjesht: Ne i fituam zgjedhjet me një mandat shumë të fortë, për të ndërtuar një realitet të ri dhe natyrisht që jam i vetëdijshëm se zgjedhjet i fituam duke ndërtuar një koalicion që i dha mundësi njerëzve të ndihen të mbrojtur e shkuan në votime pa ndroje, me bindjen që koalicioni ynë do të garantonte shprehjen e vullnetit të tyre sic rezultoi. Ky koalicion, i përbërë me shumë parti, por i vendosur mbi boshtin strategjik PS-LSI, do të vijë në pushtet me një reflektim për të shkuarën në shumë aspekte dhe gjëja që më takon të them është se të gjitha këto çështje do të konsultohen në mënyrë të ngushtë dhe intensive me partnerin tonë, e vendimarrja do të jetë fryt i konsultimit. Pra, nëse deri dje kemi pasur një qeveri me një kryeministër që i anonçonte në TV vendimet, e të shumtën e herës vendime tërësisht arbitrare, kjo nuk do të ndodhë më. Vendimet që do të më takojnë të anonçoj do të jenë të konsultuara dhe edhe për këtë çështje do të konsultohemi, e vullneti i dyanshëm ekziston.
Arjan Vasjari – Së pari, sinqerisht ju uroj për fitoren. Tani që fillojnë bien emocionet, lodhjet dhe ekseset e fushatës, unë kam bindjen se deklarata juaj e fitores dhe deklarata e dorëheqjes së zotit Berisha ngelën dy momentet më brilante të kësaj fushate dhe kam bindjen që janë dy momente të cilat ne me krenari mund ti vendosim në raftin e privilegjuar të demokracisë sonë. Por, ju keni deklaruar akti i parë do të jetë anullimi i planit regullues të Tiranës, a do të rikonsiderohet kjo ashtu si ristrukturimi i administratës?
Edi Rama - Të jeni të bindur që nuk ka paqe pa drejtësi. Me këtë dua të them që sigurisht që do të ndërtojmë një sistem ku nesër, cilido qoftë në pushtet e ne të parët, të mos jetë në gjendje të shpërdorojë liritë dhe të drejtat e njeriut, duke shpërdoruar detyrën shtetërore për të marrë njerëzit e kthyer në kope mitingjesh elektorale. Nga ana tjetër, në qoftë se do të ketë një shembull që shiko kur gjërat mbarojnë nuk të mbron kush, të mbron vetëm zgjedhja jote ndaj ligjit. Nëse kjo nuk bëhet, nesër, ata tanët do të bëjnë të njëjtën gjë. Fakti që nëse abuzon me idenë që e je i mbrojtur, siç kanë abuzuar një sërë drejtuesish të Policisë së Shtetit, që janë përgjegjës për situatën që doli jashtë kontrollit me pasojë vdekjen e njerëzve në Laç, atëherë historia përsëritet shumë thjesht. Kështu që ne, pa asnjë dyshim dhe e përsëris, e për këtë jam i bundur, do të bëjmë çmos të japim në radhë të parë njerëzve lirinë për të marrë frymë pavarësisht në janë me ne apo kundër nesh, kudo qofshin, mësues, nëpunës, mjekë, biznesmenë, etj. Nga ana tjetër, kjo smund të bëhet me fjalime, por duhet shoqëruar me akte dhe absolutisht konkrete e nuk mund të harrohen ata që i thanë njerëzit o në zyrën elektorale të PD, o në rrugë. Kjo nuk mund të harrohet pasi ky sistem po ndërtohet mbi bazën e kësaj fryme. Mund të kesh një detyrë partiake, por kur ke një detyrë shtetërore të paguan shteti dhe kur merr këtë detyrë e në të mund të bësh ligjin, bindjet politke nuk mund të tolerohen.
Sa i takon Bashkisë së Tiranës, jam absolutisht i bindur që eksperienca ime, e atij rrethimi të Bashkisë nga gjithë ajo hordhi pushteti e abuzimi për të penguar punën, do të më ndihmoj që ky pushtet të mos përsërisë ato gabime për të mirë e qytetarëve dhe marrëdhëniet me bashkinë do të jenë të një raporti në respekt të qytetarëve dhe jo i diktuar nga marrëdhënia politike e personale me njerëzit që janë në krye të pushtetit vendor.
Andrea Stefani – Nuk mund të mos bie dakord me idenë tuaj që gjithçka duhet të formëzohet nga ligji, e kjo duhet të çojë sjelljen e njerëzve drejt një bashkëvlere, por këtu ka një problem që nuk është hera e parë që ndërrohen pushtetet dhe ne kemi parë që largimi nga pushteti, nuk ka sjellë dënimin e korrupsionin të pushteteve të mëparshme, edhe për faktin që ajo qeveri që ka dashur të veprojë në këtë mënyrë, është akuzuar se ka dashur të hakmerret ndaj një kundërshtari paaradhës. Ne skemi një pushtet të pavarur gjyqësor, ndaj si kapërcehet ky handikap?
Edi Rama - Ka dy aspekte, etik dhe penal. Në atë etik, qeveria nuk ka alibi. Nëse drejtori i shkollës nxjerr në rrugë fëmijët në miting ndaj opozitës, këtu jemi në shpërdorim detyre nga ana etike dhe ligjore. Pjesën etike e ka përsipër qveveria, sepse një ministër arsimi dhe një kryeministër që nëse nuk duan që kjo histori të përsëritet, duhet që ata që e kanë shkruar këtë histori si drejtues, smund të drejtojnë më. Smund të drejtojnë më shkolla njerëzit që kanë mbyllur shkollën për të çu