E Shtunë, 31 Tetor 2026

24 orë instalacione artistike

Artistët që punojnë me video e kanë vështirë. Në ekspozita ose nëpër bienale filmat apo instalacionet e tyre mbyten nga artet e tjera. Kërkush nuk ka kohë të qëndrojë disa minuta ose orë para një monitori apo një ekrani.

Kjo gjendje i mërziti dy artistë videosh, Marcus Kreiss’in dhe Alec Crichton’in. Prandaj ata krijuan një kanal televiziv i cili transmeton nëpërmjet rrjetit kabllor filma në gjatësinë e tyre të plotë. 7 ditë të javës, 24 orë pandërprerë. Pa moderator, pa koment. Viteve të kaluara filmat mund të shikoheshin vetëm në televizor. Por tani, Souvenirs from Earth ofron një Livestream në internet.

"Cloud Cuckoo Land" - Vend i reve dhe i qyqeve- quhet filmi video i duos së artistëve nga Nju Jorku, Erik Moskowitz dhe Amanda Trager. Një përzierje opere video dhe klipesh muzikore. Nëna dhe babai, luajtur nga vetë artistët, diskutojnë duke kënduar para kamerës mbi edukimin e fëmijëve dhe një ndryshim shtëpie. Filmi është treguar tashmë në shumë festivale dhe ekspozita. Tani ai transmetohet në programin e Souvenirs from Earth.TV: "Unë jam Alec Crichton, drejtori artistik i kanalit, jam këtu në Këln dhe përpiqem që të tërheq sa më shumë artistë videosh për programin tonë".

Alec Crichton, në fillim të moshës 30 vjeçare, është vetë artist videosh. Studio e tij që ndodhet në lagjen Nippes të Këlnit është bosh. Në fakt aty ndodhet vetëm një tavolinë e madhe me dy kompjuter. Atij nuk i duhen më shumë pajisje.

"Unë rri ulur këtu gjithë ditën dhe kërkoj në rrjet për video të reja, i përgjigjem E-mailave, iu shkruaj njerëzve, shkoj në bienale e festivale filmash", thotë Crichton.

Souvenirs from Earth është kanali i parë televiziv që ka një program 24 orësh me art. Programi përbëhet nga filma të shkurtër, video muzikore, dokumentacione instalacionesh ose performancash. 1,500 video janë transmetuar vitin kaluar në Souvenirs from Earth. Që prej katër vjetësh programi shihet në televizionin kabllor francez dhe atë gjerman. Muze bashkëkohore, si për shembull Jeu de Paume në Paris dhe Qendra Nam-June-Paik në Kore, do ta marrin këtë program pas vitit 2012.

Alec Crichton kujdeset që në ekran të mos transmetohet çfarë të jetë: "Duke qenë artist mua më pëlqen të jem edhe intuitiv, por përzgjedhja e videove bazohet tek përvoja. Njeriu sheh shumë, dhe nëse mendon se diçka është interesante, atëherë edhe funksionon. Unë përpiqem të përzgjedh diçka jo më shumë me vështrimin artistik se sa të gjejë tek një punim një gjë interesante, që zgjeron perceptimin".

Mes tyre ka prodhime të artistëve të njohur të skenës, si Julian Opie, Harun Farocki, Bill Viola ose James Turrell. Artisti amerikan që punon me ndriçimin ka treguar një video 24 orëshe, tek i cili tonet e ngjyrës kalojnë nga rozë në violet, blu dhe ngjyrë të kuqe. Asnjë vizitor muzesh nuk ka kaq shumë durim dhe kohë. Me Souvenirs from Earth ai mund ta shohë këtë punim në dhomën e ndenjes në shtëpi.

Video "Cloud Cuckoo Land" mbaron. Pas saj vjen një pushim i vogël dhe një citat nga Nam June Paik:

"Televizioni na ka sulmuar një jetë të tërë, tani jemi ne ata që kthejmë goditjen, tani ne e bëjmë televizionin vetë".

Paik është pionier në artin e mediave dhe një farë mentori shpirtëror i programi. Ai tregon imazhe televizive të viteve 60-të, të cilat ai i shtrembëron nëpërmjet një magneti duke prodhuar forma interesante. Dhe ai ëndërron për një kanal televiziv që është vetëm art.

Në programin e Souvenirs from Earth fillon tani një film vizatimor. Zara notojnë në ekran, kthehen në bimë, format zëvendësojnë njëra tjetrën. Kjo shoqërohet nga muzikë elektronike. Imazhet mbesin abstraktë dhe të mistershme. Nuk ka asnjë lloj veprimtarie, nuk ka fillim dhe fund.

Pra, Souvenirs from Earth ofron një background perfekt vizuel për festa ose për të qëndruarit në divan. Televizori shndërrohet në një ekran personal të artit modern.DW

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›