Filloi “Një Botë”

Edicioni i sivjetmë i festivalit “Një Botë”, i cili filloi të hënën mbrëma, do të zgjasë deri më 16 dhjetor dhe në të do të shfaqen 20 filma, të cilët njëherit do të jenë pjesë e konkurrencës zyrtare, prej të cilëve 17 do të jenë filma të autorëve ndërkombëtarë dhe 3 filma të autorëve vendorë.
Drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behxhet Shala tha se festivali përmes shembujve nga e kaluara dëshiron të tregojë se sa janë bërë përparime në aspektin e të drejtave të njeriut.
“Festivali ka për qëllim që të ngrit vetëdijen për të drejtat e njeriut, për respektimin e tyre dhe jo vetëm të merremi me pasojat e shkeljes së të drejtave të njeriut. Natyrisht që ky festival e ka për qëllim që përmes shembujve nga e kaluara të shkojmë drejt ardhmërisë”, tha Shala.
Kurse drejtori artistik i festivalit, Arian Zeka bëri të ditur se në edicionin e njëmbëdhjetë do të shfaqen 20 filma dokumentarë për të drejtat e njeriut, të autorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, ndër ta edhe fitues të çmimeve të ndryshme të festivaleve prestigjioze ndërkombëtare.