Obama kërkon nga Irani kthimin e aeroplanit spiun

Obama theksoi se nuk ka ndërmend të komentojë raportimet e shërbimeve sekrete, por me këtë rast pranoi:“I kemi kërkuar të na e kthejnë. Tani jemi në pritje të përgjigjes së Teheranit”.
Pentagoni përgënjeshtroi lajmin fillestar se kishte humbur një aeroplan mbi Iran, por pamjet e një televizioni vendas nuk lanë vend për dyshime, pasi u transmetuan gjatë javës së shkuar. Megjithatë, ndërsa Teherani raportoi për rrëzimin e tij, Washingtoni pretendon se aeroplani spiun pësoi një “avari”, ndërsa ishte duke fluturuar mbi Iran.
Aeroplani pa pilot, i llojit “RQ-170 Sentinel”, është i pajisur me disa pjesë të një teknologjie tepër të rezervuar ushtarake, në shërbim vetëm të forcave amerikane.
Televizioni Shtetëror Iranian raportoi se ekspertët ushtarakë ishin në prag të zbërthimit të kodit sekret që përdor mjeti i telekomanduar.
Anëtari i Komitetit të Sigurisë Kombëtare, Parviz Sorouri, tha se informacioni i nxjerrë do të përdoret për të ngritur një padi ndërkombëtare ndaj SHBA-së për “dhunimin e sovranitetit territorial”.