E Diel, 1 Nëntor 2026

240 mijë vetura në “rks”, 100 mijë vetëm në Prishtinë

Analizat e policisë rrugore kanë treguar se prej 240.000 veturave të regjistruara në Republikën Kosovës, rreth 100.000 vetura ose 41 % të tyre janë në Rajonin e Prishtinës.

“Prishtina me këtë infrastrukturë momentale nuk mundet t'i përballoi një fluksi të automjeteve rreth 120.000 brenda 24 orëve, e sidomos në orët kur popullata shkon dhe vjen nga puna, shkolla dhe nevojave tjera siç janë spitalet, institucionet e ndryshme etj”, kështu ka deklaruar për Indeksonline, Florije Ahmeti- Haziraj, zyrtare për media në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë.

Ajo ka thënë se, në fund të vitit të kaluar policia ka krijuar një njësi e veçantë e cila ka për obligim vetëm mbarëvajtjen e trafikut në Prishtinë.

“Ne kemi bërë analiza periodike dhe krahasime, ashtu që kemi konstatuar se me formimin e kësaj njësie vërehet dukshëm përmirësimi në qarkullim të komunikacionit, po ashtu dhe është ngritur vetëdijesimi i pjesëmarrësve në komunikacion në respektimin e rregullave ligjore”, ka thënë Ahmeti-Haziraj, duke shtuar se, ky njësit i mbulon pikat me të frekuentuara dhe veprimtaria e tyre kryesore është rregullimi i komunikacionit për aq sa i mundësohen kushtet e infrastrukturës rrugore dhe ngarkesës në komunikacion.

Problemi i ngufatjes të herëpashershëm të komunikacionit në orët e mëngjesit dhe të pasdites është se në disa segmente rrugore janë duke u zhvilluar punimet ashtu qe një numër shumë i madh i veturave transite duhen të futen në qytet.

Ahmeti- Haziraj thotë se, sikur mos të kishte vepruar Policia e Trafikut në rregullimin e komunikacionit në hyrje të Prishtinë, automatikisht do të bllokohej i tërë qyteti.

Veprimtaria e njësitit të trafikut është, rregullimi i komunikacionit, kontrolli i komunikacionit dhe veprimtaria preventive, ndërmarrja e masave ligjore ndaj pjesëmarrësve të cilit nuk e respektojnë ligjin e komunikacionit si dhe vend-shikimi i aksidenteve të komunikacionit kur në aksident ka persona te lënduar./V.K./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›