LDK e bindur se Kryeziu do ta fitojë Prizrenin

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Prizren është e bindur se kandidati i saj, Eqrem Kryeziu, do t’i fitojë zgjedhjet e 3 nëntorit, raporton Prizrenpress.
Zëdhënësi i degës së LDK-së, Nderim Gashi, ka se kandidatura e Kryeziut është unifikuese në LDK.
“Kandidatura e Eqrem Kryeziut për kryetar të Prizrenit është kandidaturë që unifikon më së shumti anëtarësinë e LDK-së, dhe jo vetëm anëtarësinë tone. Është kandidaturë që do votohet në mënyrë plebishitare nga qytetarët, pasi që ai shihet si i vetmi opsion që do të nxjerr qytetin tonë nga bataku i korrupsionit në të cilën e kanë futur vendin këta qeveritar që po ikin”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, kandidatura e LDK-së për kryetar të Prizrenit do votohet edhe nga anëtarët e partive tjera. ”Edhe nga kundërshtarët tanë politikë shihet si i vetmi opsion që do ta nxjerrë qytetin tonë nga kjo krizë e madhe”, ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se LDK-ja është në fazën përfundimtare të hartimit të programit zgjedhor.
“Oferta jonë do të jetë e pranueshme nga shumica e qytetarëve të Prizrenit. Do jetë një program që do të bëjë kthesën e madhe dhe qyteti ynë do të hyjë në një fazë të zhvillimit të hovshëm ekonomik”, ka theksuar zëdhënësi i degës së LDK-së në Prizren.
Kryetari aktual I Prizrenit, Ramadan Muja, dhe pesë zyrtarë të administratës së tij janë akuzuar për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare nga prokuroria e EULEX-it. /Indeksonline/