25 grevistë në spital, Rama përgatit grevistë të tjerë
Pritet që PS të fusë një ekip të dytë në grevë
Dita e 11-të e grevës së urisë ka shënuar largimin në spital të grevistit të 25-të, ndërkohë që pritet që dhjetëra të tjerë të ndërpresin grevën në dy ditët në vazhdim për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Në këto kushte mësohet se PS po përgatitet të fusë një tjetër grup deputetësh dhe mbështetësish në grevë urie, gjë që nëse ndodh do të quhej më së miri greva nr.2 e urisë nga PS. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se disa deputetë dhe shumë mbështetës të kësaj partie, ish-zyrtarë të saj apo militantë të hershëm kanë vendosur që ti bashkohen kësaj greve për të bërë të mundur zgjatjen e saj sa më shumë, ndërkohë që shëndeti i grevistëve aktualë po rëndohet. Mjeku i grevës, ish-deputeti i LSI-së, Sabit Brokaj, ka pranuar dje për median se shumë pjesëtarë në grevë janë në kushte jo të mira shëndetësore dhe se ai po këshillon ndërprerjen e grevës për shumë prej tyre. Gjendja e grevistëve është rënduar më shumë, të gjithë kanë shqetësime. Ne tani natyrisht trajtojmë shqetësimet, por më shumë i ruhemi rrezikut, pasi prej këtyre momenteve rreziku është bërë evident dhe kjo dihet nga të gjithë, - tha Brokaj. Por në këto kushte, Edi Rama sërish ka deklaruar se protesta me anë të grevës do të vazhdojë dhe se PS është e vendosur për këtë. Zëvendësimi i të larguarve në spital është paralajmëruar nga vetë Rama, i cili ka thënë se një do të dalë dhe pesë do të futen në grevën e urisë. Ndërkohë siç njoftohet nga zyra e shtypit e PS-së, dje në spital është dërguar një i ri i quajtur Artmir Ahmetaj, 26 vjeç, nga Tirana me simptomat e problemeve me stomakun. Gjithashtu ka lënë grevën Asllan Dogjani, deputeti i Qarkut të Kukësit, mbas problemeve shëndetësore. Ai është deputeti i tretë që lë grevën pas Besnik Bares dhe Klodiana Spahiut. Mësohet se Dogjani u largua me probleme kardiake, ndryshe nga të gjithë grevistët e tjerë që kanë pasur komplikacione në stomak. Grevisti Fatmir Kalemaj, mbi 50 vjeç nga qyteti i Patosit dhe Astrit Agjami nga qyteti i Kukësit janë dërguar po dje në spital. Brokaj flet për situatën shëndetësore të grevistëve Ish-deputeti Sabit Brokaj, që po asiston nga afër grevën e urisë në profesionin e tij si mjek, ka dhënë dje një tablo të përgjithshme të grevës, duke theksuar disa herë që shëndeti i tyre është rënduar. Sa raste janë më rëndë? Janë disa. Zoti Brokaj, po për rreziqe, sepse sipas jush situata është më shumë se e agravuar. Çfarë rreziqesh paraqet konkretisht shëndeti i grevistëve? Tani rreziqet janë nga të gjithë organet, por veçanërisht ajo që është e përbashkët për të gjithë, janë ato që ne i quajmë ndryshimet elektrolitike. Të cilat prekin të gjitha sistemet, pasi janë substanca jetësore, funksionale të qelizës. A do të këshilloni ndërprerjen e grevës për disa prej tyre që janë pranë këtyre rreziqeve? Natyrisht që këtë po bëj. Kur folët për mjekët zoti Brokaj, do të thotë që ka ndërhyrje nga ana e tyre përtej kompetencave të mjekëve? Atje flasin sikur të jenë, do të thosha unë, militantë agresivë, duke ju thënë se ju shkatërrohet ky organ ose ai organ. Në fakt është një pozicion, do thosha unë, i neveritshëm dhe agresiv ndaj shëndetit të njerëzve. Nga ana mjekësore, për sa ditë mund të qëndrojë vetëm me ujë njeriu në grevë? Është individuale. Po përgjithësisht? Përgjithësisht ne nuk lëmë që të rrezikohen e për këtë jemi, por ka një limit. Në asistencën që ju bëjmë ne nuk vendosim limite. Personat që rrezikojnë do të vazhdojnë të qëndrojnë, e kush janë? Natyrisht mjeku nuk jep kurrë emrat e pacientëve, veçse në rastet kur ai i çon në spital.