E Diel, 1 Nëntor 2026

25 vatra zjarri në 24 orët e fundit, 5 mbeten aktive

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri në vend, pjesa më e madhe e të cilave janë shuar.

Aktualisht, 5 vatra mbeten aktive dhe një zonë vijon të jetë në monitorim.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 37 automjete zjarrfikëse dhe 365 forca operacionale, ndërsa në mbështetje kanë vepruar 158 efektivë të Forcave të Armatosura, me 10 mjete dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore.

Në Krujë, vijon operacioni në zonat Abaze dhe Krastë–Halil. Ndërhyrja nga ajri me helikopterë ka frenuar përhapjen e zjarrit dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Mallakastër, zjarret në Riban, Ngraçan, Panahor dhe Çyçen janë shuar. Në Drenie, Patos, është evidentuar një riaktivizim në thellësi të pyllit dhe vijon ndërhyrja e forcave.

Në Tiranë, në Priskë e Madhe vazhdon puna për vënien nën kontroll të vatrës, e cila nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Në Përmet, vijon operacioni në malin e Nemërçkës, në një zonë të lartë pranë kufirit me Greqinë. Edhe kjo vatër nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, zjarret në Cikallesh, Vilëz, Kallmet të Vogël dhe Goraj–Budishë janë shuar plotësisht, ndërsa zona e Dajtit vijon të mbahet nën monitorim.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë në gatishmëri dhe të koordinojnë operacionet në terren deri në neutralizimin e plotë të vatrave aktive.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›