E Diel, 1 Nëntor 2026

25 vjet nga 11 Shtatori/ Trump mungon në ceremoninë pëkujtimore në New York

Presidenti amerikan Donald Trump nuk do të marrë pjesë në ceremoninë tradicionale përkujtimore pranë Ground Zero në Nju Jork, në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.

Trump ka konfirmuar se më 11 Shtator do të jetë i pranishëm në ceremoninë përkujtimore në Pentagon, duke shpjeguar kështu mungesën e tij në ceremoninë që zhvillohet çdo vit në Nju Jork.

I pyetur nga gazetarët pas kthimit nga Hjustoni nëse do të merrte pjesë në ceremoninë pranë Ground Zero, Trump u përgjigj shkurt: “Jo, sepse do të shkoj në Pentagon.”

Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance pritet të përfaqësojë administratën amerikane në ceremoninë në Nju Jork, ndërsa zyrtarë të tjerë të administratës do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore në Shanksville, Pensilvani.

Ky vit shënon 25 vjet nga sulmet e 11 Shtatorit 2001, kur militantë të al-Kaedës rrëmbyen katër avionë dhe i përdorën në sulmet terroriste në Nju Jork, Pentagon dhe Shanksville. Tragjedia mori jetën e afro 3,000 njerëzve dhe ndryshoi përgjithmonë politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Trump, i cili është me origjinë nga Nju Jorku, mori pjesë për herë të fundit në ceremoninë pranë Ground Zero në vitin 2024. Në vitin 2025, ai ishte i pranishëm në Pentagon, ku mbajti një fjalim përkujtimor dhe kujtoi momentet dramatike të asaj dite.

Në një postim në rrjetet sociale, presidenti amerikan e cilësoi 11 Shtatorin si “një ditë për të kujtuar viktimat dhe familjarët e tyre të dashur”.

Edhe për JD Vance, ceremonia e këtij viti në Nju Jork shënon një rikthim. Vitin e kaluar, ai kishte planifikuar të merrte pjesë në Ground Zero, por udhëtoi drejt Salt Lake City për të qëndruar pranë familjes së aktivistit konservator Charlie Kirk pas vrasjes së tij.

Në 25-vjetorin e një prej tragjedive më të rënda në historinë moderne amerikane, ceremonitë do të zhvillohen në tre lokacione: Nju Jork, Pentagon dhe Shanksville.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›