E Shtunë, 31 Tetor 2026

250 mijë të izoluar

Denis Dedej

Mision nga qielli, ndihmat shkarkohen në mëshirë të fatit

Në një qiell të kthjellët pas një jave që karakterizohej nga një mot gri, helikopterët të caktuar për shpërndarjen e ndihmave në zonat e izoluara në nevojë kanë nisur punën e tyre por misioni ka qenë në prag të një dështimi të plotë. Situata është raportuar dje në qytetin e Pukës ku Regjimenti i Farkës ka tentuar përmes helikopterëve që të transportojë një sasi rezervash me ushqime të shtetit drejt veriut ndërsa është përballur me mungesën e pritësve. Pilotët e helikopterëve të cilët kanë zbarkuar në stadiumin e Pukës janë detyruar ti shkarkojnë vetë rezervat ushqimore ndërkohë që u është dashur disa minuta të presin. Pas pritjes relativisht të gjatë, po prapë pilotët janë detyruar ti ngarkojnë mbrapsht ndihmat dhe të nisin fluturimin pasi rrezikoni të mbeteshin në dëborë. Pas pesë minutash në qiell të hapur, mjeteve fluturuese u është dashur të zbarkojnë sërish pasi kanë vënë re disa persona nga pushteti lokal në pritje të ndihmave. Të njëjtin fat mësohet ta ketë pasur edhe një helikopter tjetër i cili ka pritur rreth 20 minuta në ajër në pritje të dikujt që të merrte pakot. Madje, piloti i këtij helikopteri zbriti personalisht dhe njoftoi autoritetet që të tërhiqnin ndihmat. Sipas raportimeve mësohet se ekuipazhi i helikopterëve i ka shkarkuar dhe ngarkuar vetë ndihmat deri sa në fund i është dorëzuar fatit duke i shkarkuar ato përfundimisht në fushën e bardhë të stadiumit me shpresën se dikush do i marrë para se ti mbulojë dëbora. Për fatin e ndihmave nuk është raportuar deri në mbrëmje ndërsa kjo pengesë mendohet të ketë ardhur nga mungesa e koordinimit si dhe rrugëtimi i vështirë në Pukën e izoluar nga reshjet e dendura të dëborës.

Korçë, situata e njëjtë si në veri

Edhe në zonën juglindore të vendit situata raportohet e njëjtë si ajo në Kukës apo komunat e Shkodrës. Komuna Lekas e Korçës mbetet tërësisht e izoluar ndërsa dëbora i ka kaluar 2 metra trashësi. Rruga nga Lekasi në Voskopojë raportohet e lirë por më tej nuk mund të udhëtohet. Sipas drejtuesve të komunës, pavarësisht thirrjeve për ndihmë askush nuk është ofruar nga pushteti qendror ndërsa edhe automjetet e kanë të vështirë të lëvizin për shkak të trashësisë së dëborës. Ndërkohë, rruga që lidh Voskopojën me Korçën raportohet gjithashtu me vështirësi për të kaluar. Në Korçë, kisha e Shën kollit , 300 vjeçare, mësohet të jetë dëmtuar pasi çatia e saj u shemb nga pesha e akullit dhe dëborës.

Mirditë, dëbora mbulon varrezat, pezullohet varrimi në një komunë

Në qarkun e Lezhës gjatë gjithë këtyre ditëve situata më e rënduar për sa i përket reshjeve të dëborës vazhdon të mbetet në rrethin e Mirditës ku 5 komunat Kaçinar, Orosh, Fan, Selitë dhe Kthellë prej 2 javësh janë të izoluara me qendrën e rrethit, qytetin e Rrëshenit. Trashësia e dëborës në këto komuna varion nga 1.5 deri në 3 metër. Ndonëse reshjet e dëborës janë ndërprerë situata vazhdon të jetë e vështirë për shkak të ngricave. Një prej këtyre komunave e cila është izoluar prej shumë ditësh është komuna e Kaçinarit. Sipas kreut të kësaj komune, Petrit Bardhit, ka pasur edhe një rast vdekje dhe ka qenë e pamundur kryerja e riteve për përcjelljen në banesën e fundit. Gjatë këtyre ditëve mësohet se ka pasur vetëm dy emergjenca shëndetësore në Dom Gjon të Fanit si edhe në Lajthizë të Oroshit, ku dy të sëmurë janë transportuar në spitalin e Rrëshenit. Drejtuesit e 5 njësive vendore të izoluara nga dëbora kanë ngritur si shqetësim mungesën e rezervave ushqimore si edhe kanë kërkuar hapjen e rrugëve komunikuese të qendrave të këtyre komunave me superstradën. Probleme ka pasur edhe në furnizimin me energji ndërkohë që në fshatrat e këtyre 5 komunave që prej dy javësh është ndërprerë mësimi. Situata po mbahet në monitorim të vazhdueshëm.

Pukë, vdes në bordin e helikopterit 85-vjeçari

Një ngjarje e rëndë është raportuar dje nga Puka teksa një shtetas ka humbur jetën gjatë kohës që po transportohej në spitalin e qytetit. Burime nga rrethi Pukë raportuan dje se një 85-vjeçar ka ndërruar jetë në bordin e një helikopteri gjatë transportimit ndërsa ai është marrë nga fshati Meçe i komunës Rrape. Pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore kanë qenë familjarët ata që kanë kërkuar ndërhyrjen e ushtrisë dhe mjekëve për udhëtimin drejt spitalit ndërsa viktima Zyber Furriku nuk dihet nga cila anomali shëndetësore vuante. Ndërkohë, mësohet se Furriku ka mbërritur i vdekur në spital pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe pilotëve të vënë në dispozicion me mjetet e tyre për rastet emergjencave. Nga Puka raportohet gjithashtu se një familje është gjendur për disa orë në gjendje të vështirë ekonomike. Banorët e fshatit Shkozë thanë se banesa e familjes Jaku është shembur nga reshjet e dëborës dhe kanë qenë vetë ata që i kanë ardhur në ndihmë. Rreth 20 banorë janë nisur drejt shtëpisë së dëmtuar dhe vunë re se të lënduar në njerëz nuk ka. Sipas raportimeve, familjes Jaku u është shkatërruar një pjesë e stallës së bagëtive si dhe tarraca e saj. Ndërkohë, vetë familjarët kërkuan ndihmë më të madhe pasi rezervat ushqimore janë në mbarim.

Shkodër, dështon pastrimi i rrugëve për shkak të motit

Ndërprerja e reshjeve të dëborës në qarkun e Shkodrës ka krijuar mundësi që mjetet e angazhuara të punojnë për zhbllokimin e rrugëve por situata vazhdon të jetë e rëndë dhe problematike pasi era e fortë e risjell dëborën në rrugë edhe kur ajo pastrohet.Në rrethin e Shkodrës  vazhdojnë të jenë të bllokuara rrugët drejt Dukagjinit ndërsa të martën ishte planifikuar dërgimi i ushqimeve në Shalë, Shosh, Kelmend, Shllak, Temal por  kushtet atmosferike janë të përshtatshme për të bërë fluturime dhe ato kanë dështuar. Në Pukë raportohet se punojnë 5 fadroma për hapjen e rrugëve,ndërsa 7 borëpastruese janë jashtë funksionit pasi trashësia e madhe e dëborës nuk i lejon të punojnë.Nga helikopterët e Forcave të Armatosura janë  transportuar  katër persona të bllokuar në Mzi, Komuna Fierzë. Ndërkohë, sipas nënkryetarit të komunës Kelemend në Malësi të Madhe,Nikollë Qosja ,një traktor me zinxhir i siguruar nga komuna po përpiqet të bëjë të kalueshme rrugën nga Tamara në Vukël. Një traktor me zinxhirë që ndodhet në Vermosh nuk ka mundur të bëjë transportin e një gruaje të sëmurë deri tek pika doganore e Gërçarit dhe ajo është transportuar me helikopter në Tiranë.

 

 Ngrin Rruga e Kombit, qindra telefonata nga banorët

Rruga e Kombit është thuajse e pakalueshme, e ngrirë në sipërfaqen më të madhe të saj dhe e bllokuar nga bora në segmente të ndryshme. Në kundërshtim të plotë me atë që raportohet zyrtarisht, jo vetëm rruga e kombit, por thuajse i gjithë veriu është i bllokuar dhe ka mungesa të mëdha në ushqime e medikamente. Mësohet se nuk është bërë i mundur pastrimi i rrugës pasi shtresa e dëborës ka qenë shumë e madhe. Për shkak se nuk është pastruar që në reshjet e para, dëbora ka zënë dëborën e mëparshme dhe ka krijuar shtresa të akullit që nuk hiqen dot. Lëvizja në këtë aks është shumë e vështirë, edhe pse kjo rrugë u ka kushtuar xhepave të shqiptarëve rreth 1.5 miliardë euro. Qindra telefonata mbërrijnë ndërkohë në numrat telefonikë të mediave nga banorë të rrethuar nga bora që gjenden pa ndihmë dhe pa mundësi lëvizjeje. Zonat me më shumë thirrje për ndihmë jane Puka, Kukësi, Dukagjini dhe Hasi, ku njerëzit kanë rreth 3 javë të bllokuar nga bora që në disa zona ka arritur deri në 4 metra.

 

Mediat për Ballkanin: Shqipëria, 250 mijë të izoluar

Agjenci

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›