Tritoli ndaj Gocajt përpara atentatit tek Komuna e Parisit
TIRANË- Ekspertët xhenier të policisë së shtetit kanë konstatuar se në makinën e të dashurës së Aleksandër Gocajt, atentatorët kishin montuar 800 gram tritol, që për fat nuk ka shpërthyer, duke evituar kështu një dëm të konsiderueshëm material e njerëzor. Sipas të dhënave të grupit hetimor, mësohet se tritoli prej 800 gram, i gjetur në makinën tip Benz me targa gjermane KCJ 337 ishte vendosur para se Gocajt të qëllohet me armë tek Komuna e Parisit ku mbeti e vrarë kalimtarja e pafajshme Megi Jokiçi. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se tritoli i gjetur në makinën e të dashurës së shtetasit Aleksandër Gocaj, është vendosur para se të qëllohej ndaj tij me armë. Për fat, kjo sasi nuk ka shpërthyer, pasi e dashura e Gocajt, shtetasja me inicialet A.Thacci që ishte edhe përdoruesja e kësaj makine kishte dëmtuar dorën dhe nuk kishte dalë me makinë asnjë ditë.
Dyshohet se atentatorët duke parë se me anë të vendosjes së tritolit nuk po arrihej qëllimi, kanë organizuar atentatin e datës 2 shkurt 2012 në lagjen Komuna e Parisit, ku për pasojë mbeti e vdekur kalimtarja Megi Jokiçi,- thuhet nga grupi hetimor. Po sipas këtyre burimeve, makina e tipit Benz me targa gjermane KCJ 337 ishte sjellë nga Gjermani nga një pronar servisi, dhe Gocaj e kishte marrë në provë për dy javë. Ai kishte vendosur të mos e blinte makinën dhe kishte njoftuar shitësin që të shkonte e ta marrte mbrapsht. Ishte ora 20:20 e darkës së 6 Shkurt 2012, kur pronari i servisit, nga një kontroll fizik i mjetit para se ta merrte atë, ka konstatuar tritolin e montuar në makinën që ndodhej e parkuar në rrugën Hamdi Cenoimeri, vetëm pak metra larg shkollës Myslym Keta në Kombinat, ku edhe janë lajmëruar efektivët e policisë që kanë bërë çmontimin e kësaj sasi tritoli,- thanë hetuesit.
Nga ana tjetër, hetimet për atentatin e ndodhur tek Komuna e Parisit ndaj Gocajt janë përqendruar në punën operative të policisë, pasi nuk është arritur të sigurohet ndonjë provë konkrete që mund të zbulojë atentatorët e mbrëmjes së 2 Shkurtit. Në vendin e ngjarjes, janë konstatuar tre kamera të sigurisë. Kamera kryesore, që kishte edhe fushëpamjen e qartë dhe që ishte vendosur shumë pranë atentatorëve, rezulton se ishte vetëm monitoruese dhe jo regjistruese e të gjitha lëvizjeve. Ndërsa dy kamerat e tjera që ishin vendosur pak metra larg vendit nga ku kanë qëlluar atentatorët nuk kanë fiksuar ndonjë nga atentatorët, por vetëm turmën duke iku nga të shtënat,- thuhet nga të dhënat e prokurorisë.
