E Diel, 1 Nëntor 2026

27 vatra zjarri në të gjithë vendin, 8 mbeten aktive

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se deri në orën 20:00 janë regjistruar 27 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 8 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 4 të tjera janë në monitorim.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 487 forca operacionale dhe 30 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë angazhuar edhe 100 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Vatrat kryesore aktive vijojnë të jenë në Dajt, Gurë-Lurë, Qafë Helmes, Bruç, Lufaj, Fushë-Lajë dhe Rrjoll.

Në Dajt ndërhyrja vijon me 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Gurë-Lurë po vijon një angazhim i gjerë i forcave bashkiake, MZSH-së, Policisë, ADZM-së, vullnetarëve dhe 50 efektivëve të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 2 avionë “Air Tractor”. Korridoret e hapura në terren kanë penguar afrimin e flakëve drejt banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Lufaj, Mirditë, vijon puna e forcave në terren, e mbështetur nga një helikopter i Forcave të Armatosura, ndërsa zjarri në Tharri është vënë nën kontroll.

Në Zhejë, Kurbin, zjarri është shuar plotësisht pas ndërhyrjes së MZSH-së, forcave bashkiake, Policisë dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura.

Në Fushë-Lajë, Pukë, zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, në Rrjoll situata po monitorohet nga afër, edhe përmes përdorimit të dronëve.

Autoritetet vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në të gjitha vatrat aktive, me qëllim izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarreve, si dhe garantimin e sigurisë së zonave të banuara. /e.i/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›