E Diel, 1 Nëntor 2026

Droni hyn në hapësirën ajrore të Rumanisë, rrëzohet nga NATO

Një avion luftarak spanjoll F-18, pjesë e misionit të policimit ajror të NATO-s në Rumani, ka rrëzuar një dron që kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në hapësirën ajrore rumune.

Ngjarja ka ndodhur të dielën dhe është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë, e cila bëri me dije se bëhet fjalë për dronin e katërt që vendi ka rrëzuar gjatë këtij viti.

Sipas autoriteteve rumune, radarët zbuluan dronin duke hyrë në hapësirën ajrore të vendit nga drejtimi i Moldavisë, rreth 24 kilometra në veri të qytetit Galati, në juglindje të Rumanisë.

Origjina e dronit nuk është përcaktuar zyrtarisht.

Avioni spanjoll F-18, i angazhuar në patrullimin ajror në kuadër të NATO-s, vendosi kontakt me objektivin përmes radarit dhe mori autorizimin për të hapur zjarr.

Ministria rumune njoftoi se droni u rrëzua në orën 05:01 të mëngjesit, ndërsa mbetjet e tij ranë në një zonë të pabanuar mes dy fshatrave. Nuk raportohet për viktima apo dëme në banesa.

Rumania, e cila ndan një kufi tokësor prej rreth 614 kilometrash me Ukrainën, është përballur vazhdimisht me incidente të lidhura me dronët gjatë luftës në Ukrainë.

Në muajt e fundit, dronë të lidhur me sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë depërtuar në mënyrë të përsëritur në hapësirën ajrore rumune, duke rritur shqetësimet për sigurinë e krahut lindor të NATO-s.

Në korrik, avionë luftarakë rumunë F-16 rrëzuan tre dronë rusë që kishin hyrë në hapësirën ajrore kombëtare. Ishte hera e parë që Rumania përdorte avionët e saj luftarakë për të rrëzuar dronë gjatë këtyre incidenteve.

Më herët gjatë këtij viti, një dron rus u përplas gjithashtu në një bllok apartamentesh në qytetin Galati, gjatë një sulmi të natës në Ukrainë. Nga incidenti mbetën të plagosur dy persona.

Incidenti i fundit vjen në një kohë kur vendet e NATO-s në krahun lindor po rrisin gatishmërinë dhe monitorimin e hapësirës së tyre ajrore për shkak të rrezikut të përhapjes së incidenteve nga lufta në Ukrainë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›