E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëngjini në pikun e sezonit turistik, gushti ka rritur numrin e pushuesve në të gjithë bregdetin

Gushti ka hyrë në fazën e tij më intensive dhe për bregdetin e Shëngjinit kjo do të thotë kulmin e sezonit veror. Numri i pushuesve vijon të jetë i lartë, ndërsa në të gjithë vijën bregdetare puna për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike zhvillohet çdo ditë.

Këtë sezon vihet re edhe një rritje e turistëve të huaj, ndërsa vizitorët nga Kosova mbeten grupi më i madh i pushuesve. Administratori i Shëngjinit, Brahim Demi, e cilëson sezonin të suksesshëm, duke theksuar se shpërndarja e pushuesve në zona të ndryshme ka ndikuar në frekuentimin më të gjerë të bregdetit.

“Në terren vijojnë shërbimet për mirëmbajtjen e plazheve dhe hapësirave publike, ndërsa për pastrimin e rërës po përdoren edhe makineri të posaçme teknologjike duke mundësuar një proces më të shpejtë dhe më efikas”, tha ai.

Për pushuesit, zgjedhja e Shëngjinit lidhet me pastërtinë, hapësirat publike dhe mundësinë për të gjetur alternativa të përshtatshme për kategori të ndryshme. Shumë prej tyre rikthehen çdo vit në këtë destinacion veror.

“Plazhi shumë mirë. Unë kam ardhur prej New York-ut edhe e shoh është shumë i pastër. Bregu është shumë i pastër.

“Ka që tre katër vite që vijmë. Na ka pëlqyer shumë, është shumë i mirë edhe për fëmijë është i mirë”, thanë pushuesit.

Edhe këtë verë, Shëngjini po përjeton flukse të larta turistësh. Përmirësimet në menaxhimin e trafikut dhe shërbimet e ofruara kanë krijuar kushte më të mira për vizitorët, duke e konsoliduar këtë zonë si një nga destinacionet më të preferuara të bregdetit shqiptar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›