E Diel, 1 Nëntor 2026

28 Nëntori-Pavarësia, bum aktivitetesh nga Bashkia e Tiranës

TIRANE-Me rastin e 99-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më datë 28 Nëntor, Bashkia e Tiranës do të organizojë një sërë aktivitetesh festive e kulturore. Shfaqje të ndryshme, kënd librash, lojëra dhe argëtime si për fëmijë e të rritur janë parashikuar gjatë gjithë kësaj dite të vecantë si dhe një koncert i madh për mbyllje në sheshin “Nënë Tereza”.

Programi për në datën 28 Nëntor

1-Ceremonia tek varrezat e dëshmorëve -Ora: 10:00

2-Panairi blej shqip -Ora: 09.00 – 21.00, Rruga: Murat Toptani
Në bashkëpunim edhe me OJF-në Blej Shqip, në ditën ku të gjithë kanë ndërgjegjësimin më të lartë rreth vlerave kombëtare, iniciohet panairi “Blej Shqip”, në të cilin do të marketohen e tregtohen vetëm produkte shqiptare. Kjo iniciative përtej hapjes së një panairi ka për synim të promovojë produktet shqiptare në treg dhe të nxisë përdorimin e tyre nga qytetarët, për të dhënë impaktin e saj në terma afatgjatë edhe në ekonominë shqiptare duke mbështetur drejtpërdrejt biznesin vendas.

3-Shfaqje për fëmijë nga Cirku i Tiranës, Teatri Netropol dhe fëmijët e qëndrës “Ten” , Ora: 10.00 - 13:00, Vendodhja: Parku Rinia .
“Thesaret e Cirkut” është shfaqja e cila do të lançohet për herë të parë me rastin e festave të 28 Nëntorit dhe do të vazhdojë përgjatë gjithë sezonit të Dhjetorit, ku do të përmblidhen numrat më të mirë ndër vite në 7 profilet themelore të cirkut.

Shfaqja teatrale për fëmijë nga Teatri Metropol, do të performohet në terren të hapur nga artistët e këtij teatri në krah të shfaqjes së cirkut me orare të alternuara për të krijuar një program të plotë e argëtues për fëmijët e Tiranës të përqëndruara tek Parku Rinia.

Vogëlushët që prej kohësh ndjekin kurse artistike pranë qendrës TEN do të performojnë në skenën e ngritur tek lulishtja e “Parkut Rinia” për cirkun dhe teatrin me një kolazh këngësh në korr, vallesh popullore, performime me violinë, kitarë etj, për të filluar kështu gëzueshëm këtë ditë festive.

4-Këndi i fotografisë , Orari: 11:00 - 13:00 dhe 16:30 – 18:00, vendodhja: Trotuari përpara Galerisë së Kombëtare të Arteve
Aktorët e Teatrit të Metropolit në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar për kostumografinë e aktorëve do të vishen me veshje të personazheve Historike si Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Murat Toptani, Marigoja, etj në një background me imazhe që të kthejnë në kohë, në vitet e ngritjes së flamurit, do të krijojnë kështu këndin e fotografisë, ku qytetarët do të mund të bëjne foto me këto personazhe.

5-Ansambli, orari: 11:00 - 13:00 dhe 16:30 – 18:00, vendodhja: Rr: Murat Toptani .
Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave për ti shtuar frymën festive dhe ndjesinë shqip panairit në rrugën pedonale. Programi i valleve përfshin valle nga të gjitha krahinat.

6-Konkursi i pikturës & kori i fëmijëve, Orari: 11: 00 - 13:00, vendodhja: Sheshi tek Vëllezërit Frashëri
Në bashkëpunim me Liceun Artistik do të organizohet pikturimi interaktiv me temë: “ Shqipëria ime” në një telajo të përmasave 1m* 10m, në të cilën fëmijët do të pikturojnë “livë”, secili në 1m gjerësi. Aktiviteti do të shoqërohet nga korri i fëmijëve të liceut që do të performojë këngë patriotike.

7-Kamerata e Tiranës, orari: 12:30 – 13:30, vendodhja: Vëllezërit Frashëri.
Kamerata e Tiranës do të jetë pjesë e aktivitetit që do të organizohet në bashkëpunim me liceun e Tiranës.

8-Shfaqja e filmit Orari: 20:00, vendodhja: Galeria Kombëtare e Arteve.
Përpara Galerisë Kombëtare të Arteve do të shfaqet me një aparature tradicionale jo dixhitale me projeksion filmi “Nëntori i dytë”, e cila krijon emocione të veçanta e shfaqur në një ambjent të
hapur me teknologjinë e vjetër, për të plotësuar mozaikun e sjelljes në vëmendje të historisë 99 vjeçare të Shqipërisë në Pavarësi.

9-Koncerti tek sheshi “Nënë Tereza”, Orari: 18:00
Atmosfera festive do të kulmojë me koncertin e madh në orën 18:00 në Sheshin Nënë Tereza, ku do të marrin pjesë këngëtarët më të njohur.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›