Deputeti Peza padit Berishën në Gjykatën e Lartë
Deputeti socialist, Dashamir Peza dhe bashkëshortja e tij kanë paditur për shpifje kryeministrin Sali Berisha. Relator i çështjes caktohet gjyqtari Nuni
Tiranë Deputeti socialist, Dashamir Peza dhe bashkëshortja e tij kanë depozituar në Gjykatën e Lartë një padi për shpifje ndaj Kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Sipas një njoftimi të shpërndarë nga Gjykata e Lartë, ditën e djeshme është hedhur edhe shorti që ka përcaktuar trupën gjyqësore që do të shqyrtojë padinë e deputetit Peza. “U zhvillua hedhja e shortit për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar në Gjykatën e Lartë, me nr.11/11 akti, në ngarkim të të akuzuarit, z. Sali Berisha dhe akuzues, z. Dashamir Peza dhe znj. Entela Peza, me objekt “Shpifje”, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal dhe neni 73 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, - tha zyrtarisht Gjykata e Lartë, duke bërë publik edhe emrat e gjyqtarëve që do të shqyrtojnë padinë. Sipas shortit, relator i kësaj çështjeje do të jetë gjyqtari Ardian Nuni, ndërsa anëtarë të trupit gjykues janë Arjana Fullani, Besnik Imeraj, Guxim Zenelaj dhe Medi Bici. Padia e deputetit Peza është dorëzuar pak ditë më parë në Gjykatën e Lartë. Mësohet se në kërkesë-padi, deputeti socialist iu referohet akuzave që Kryeministri ka bërë ndaj tij dhe familjes në deklarata të ndryshme publike. Gjatë këtij viti, në Gjykatën e Lartë janë depozituar disa kërkesë-padi nga deputetë, të cilët akuzojnë njëri-tjetrin për shpifje, por për asnjë çështje gjykata nuk ka shpallur fajtor asnjë nga deputetet. Beteja ligjore mes dy kampeve ka nisur fillimisht në Gjykatën e Tiranës, ku deputetja Albana Vokshi ka paditur 9 kolegë të saj socialistë, duke fituar gjyqin me disa prej tyre. Ndërsa kërkesat e depozituara në Gjykatën e Lartë, në shumicën e rasteve kanë përfunduar me pushim ose pafajësi për deputetët e akuzuar për shpifje. L.Bakillari