Luan Hoxha: Prokuroria me prova kontradiktore, pafajësi për “Gërdecin”
Avokati i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, kundërshtoi kërkesën e prokurorisë për dënimin e tij me 8 vjet burg për shpërdorim detyre. “Organi i akuzës paraqiti të dhëna kontradiktore për transportin e municioneve”
Tiranë Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha ka kërkuar pafajësi dje në sallën e gjyqit, duke mos pranuar akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për tragjedinë e Gërdecit. Përmes avokatit Brahim Lahi, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ka pretenduar se prokuroria në akuzën e saj, në asnjë moment nuk ka përcaktuar qartësisht dhe me referenca në ligj se ku dhe kur ka shpërdoruar detyrën Hoxha. Madje, mbrojtësi i Hoxhës ka deklaruar se prokuroria në asnjë paragraf të materialit të saj nuk i është referuar detyrës funksionale dhe ligjit organik mbi përgjegjësitë dhe detyrat e Shefit të Shtabit. “Në analizën e prokurorisë nuk u trajtua asnjë element juridik që përbën veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Duke parë formulimin e dispozitës përkatëse, neni 70 i K.Penal Ushtarak, nga ana objektive kërkon kryerjen ose moskryerjen me dashje të veprimeve apo mosveprimeve në kundërshtim me ligjin për përmbushjen e rregullt të detyrës. Siç shihet nga vetë formulimi i dispozitës, për të ekzistuar kjo vepër është e domosdoshme të përcaktohej se kush është detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, nga buron ajo dhe cilat janë konkretisht ato detyra apo pjesë detyrash që nuk janë përmbushur në rregull”, - u shpreh dje në seancë avokati Lahi. Më tej Lahi ka shtuar se në tërësi, materiali i prokurorisë për akuza të caktuara është kontradiktor. Si shembull, ai ka marrë përgjegjësitë që ka nxjerrë organi i akuzës për kostot e transportit për në fabrikën e Gërdecit. “Prokuroria është kontradiktore në qëndrimin e saj. Në pikën 4 të vendimit për njoftimin e akuzës, prokurori akuzon për faktin se ka lejuar që shpenzimet e transportit të përballohen nga Forcat e Armatosura, duke mos lidhur kontratë në mes komandave të FA dhe ndërmarrjes MEICO si porositës i shërbimit. Ndërsa në konkluzione paraqet si fakt kriminal, përse i janë ngarkuar shpenzimet e transportit ndërmarrjes MEICO dhe nuk u janë ngarkuar shoqërive private”, - u shpreh dje avokati Lahi. Më tej, avokati i ish-shefit të Shtabit është përqendruar në akuzën e prokurorisë për përgjegjësitë e gjeneralit Luan Hoxha, në mungesën e planifikimeve për transportin e municioneve. Për këtë rast, avokati i është referuar raportit të dy ekspertëve të përzgjedhur nga prokuroria për këtë çështje, ndërsa ekspertët nga ana e tyre kanë përjashtuar çdo përgjegjësi të shefit të Shtabit nga ky proces. “Në vendimin për njoftimin e akuzës, klienti im është akuzuar për mungesën e planifikimit të transportit të municionit, që në konkluzionet e prokurorit nuk është përmendur si pjesë e akuzës pasi, siç kanë përmendur edhe ekspertët në shtesën e aktit të ekspertimit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk ka asnjë shkelje ligjore në problemet e transportit të municioneve, qoftë për planifikimin apo lidhjen e kontratave. Për këtë arsye, prokuroria nuk e ka përfshirë në konkluzione pikën 4 të vendimit mbi njoftimin e akuzës”, - deklaroi ndër të tjera avokati i ish-shefit të Shtabit, Luan Hoxha. Duke kundërshtuar pikë më pikë të gjitha episodet në dosjen e prokurorisë, për të cilat është akuzuar Luan Hoxha, avokati kërkoi pafajësi për klientin e tij. Në konkluzionet përfundimtare, prokuroria kërkoi 8 vjet burg për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha.
Projekt-urdhri, Hoxha nuk ka marrë pjesë
“Klienti im ngarkohet me përgjegjësi nga akuza se përse në këtë pikë të urdhrit janë përfshirë municione të kalibrit jo të vogël, si dhe sasi të padala nga armatimi e përdorimi. Më saktë, përse ka qenë dakord me projekt-urdhrin për përcaktimin e kësaj pike, pasi Luan Hoxha, as është marrë me përpilimin e projekt -urdhrit, as është ngarkuar me një detyrë nga ministri, por i është kërkuar vetëm mendimi i tij. Në arsyetimin e saj, akuza, në faqen 330 të konkluzioneve parashtron se Luan Hoxha e Ndue Marku kanë qenë anëtarë të grupit të punës për hartimin e VKM nr.138, në të cilin janë përcaktuar municionet e vogla. Duke kundërshtuar arsyetimin e akuzës, parashtrojmë këto fakte: së pari, Luan Hoxha nuk ka qenë asnjëherë anëtar i grupit të punës për hartimin e këtij projektvendimi. Atij i është dërguar për mendim projektvendimi së bashku me relacionin shoqërues të tij, për të dhënë një mendim. Në relacionin shoqërues, Luan Hoxha ka vënë shënimin që t’u dërgohet edhe ministrive përkatëse për të dhënë mendim”.