Sherri në shkollë, plagosen me thikë dy gjimnazistë
Dy nxënës të shkollës “Abdullah Keta” janë përleshur mes tyre, duke u plagosur njëri me thikë e tjetri me shkop bejsbolli
Një zënkë e rëndomtë mes dy nxënësve të shkollës së mesme "Abdullah Keta" në kryeqytet ka sjellë plagosjen e të dyve, njëri me thikë dhe tjetri me shkop bejsbolli. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:40 të ditës së djeshme, në ambientet pranë shkollës, ndërkohë që të plagosurit janë Kliton Troci, 17 vjeç dhe Idrit Sinani, 15 vjeç. Nga dëshmitarët okularë mësohet se fillimisht sherri ka nisur mes dy të rinjve të plagosur, ndërsa më pas janë përfshirë edhe persona të tjerë. Paraprakisht mësohet se dy të rinjtë prej disa ditësh kishin pasur momente tensioni mes tyre, ndërsa mesditën e djeshme duket se gjithçka ka shpërthyer dhe dy nxënësit e shkollës kanë nisur të grushtohen. Ngjarja ka marrë të tjera përmasa kur shokët respektivë të dy të rinjve kanë ndërhyrë, duke e bërë sherrin më masiv. Ndërhyrja e të rinjve të tjerë ka bërë që palët të goditen me shkopinj bejzbolli, por edhe me thika mes njëri-tjetrit. Policia e mbërritur në vendngjarje ka shoqëruar njërin prej tyre, ndërsa tjetri, i plagosur më rëndë, po merr ndihmën në Spitalin Ushtarak. Burime policore thanë se sherri është shuar vetëm në momentet kur pranë oborrit të shkollës ka mbërritur policia. Mbërritja e uniformave blu duket se ka parandaluar tragjedinë. Mësohet se 15-vjeçari Idrit Sinani ka marrë disa plagë nga prerjet e thikës në trup dhe është nën trajtim intensiv mjekësor. Policia shoqëroi dje 17-vjeçarin Troci, por edhe disa shokë të dy personazheve kryesorë të ngjarjes, për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe motivet e kësaj zënke që për pak rrezikoi të përfundonte në tragjedi.