28 të vrarë gjatë rebelimit në burg

Të paktën 28 të burgosur janë vrarë dhe 17 të tjerë janë plagosur gjatë rebelimit në një burg në perëndim të Venezuelës, i cili pas afro 20 ditësh përfundoi fundjavën e kaluar, raportuan disa organizata joqeveritare lokale.
Sipas këtij raporti, si rezultat i rebelimit në burgun e qytetit Merida, të Venezuelës, janë identifikuar 28 të vdekur dhe 17 të plagosur, dhe pesë pjesëtarë të plagosur të gardës kombëtare.
Shefja e personelit të burgut është vrarë më 25 korrik, ndërkohë që rebelimi filloi kur të dyshuarit për përfshirje në vrasje morën kontrollin e disa zonave të burgut.
Gjykata, që këtë javë publikoi se ka ngritur padi ndaj 60 të burgosurve, nuk dha hollësi të tjera rreth rebelimit dhe viktimave.
Para një viti, në një rebelim të ngjashëm në burgun El Rodeo, në afërsi të kryeqytetit venezuelan Caracas, ishin vrarë afro 30 njerëz.