E Shtunë, 31 Tetor 2026

3 ish-deputetët e PS: Pranuam ftesën e Berishës, Rama drejt dështimit të madh

TIRANE- Tre ish-deputetët e larguar nga Partia Socialiste shprehen optimistë për bashkëpunimin e tyre me kryeministrin Sali Berisha në zgjedhjet e 23 qershorit. Deputeti i Lezhës, Gjovalin Kadeli falenderoi dje, në një konferencë shtypi, kryeministrin Berisha që e bëri pjesë të stafit dhe garantoi se në qarkun e Lezhës ai do të mbështetet nga shumë të majtë që ndihen të braktisur nga Edi Rama.

Ai tha se u detyra ta merrte këtë vendim për të kandiduar në listën e PD-së, për shkak të sjelljes së kryesocialistit Rama. "Jam larguar nga PS, pasi kreu i saj bllokoi të gjitha aktivitetet e mia politike dhe pse kisha një kontribut tek kjo forcë. Këto janë gabime që Rama ka kryer në vazhdimësi dhe nuk pendohet për gabimet e vazhdueshme, gjë e cila do të çojë në një dështim të madh dhe të paimagjinueshëm", vlerësoi ai. Kadeli tha se Rama po largon eksponentët e Partisë Socialiste dhe elektoratin e tij dhe po i zëvendëson ata me militantë të përkohshëm. Duke u shprehur se e njeh mirë kryesocialistin, Kadeli ka bindjen se Rama nuk mund të jetë kryeministër. "Kur një lider krijohet nga turma është sërish kjo turmë që e largon", u shpreh Kadeli.

Nga ana e tij, deputeti Asllan Dogjani, gjithashtu vlerëson ftesën e kryeministrit. "E pranoj këtë ftesë, jo për interesat e mija personale, por e shoh si një mundësi për të vazhduar kontributin tim në politikë dhe si një mundësi të madhe për t'ju shërbyer qytetarëve shqiptarë", u shpreh Dogjani, në një prononcim për "Gazeta Shqiptare". "Unë dhe shumë socialistë të Kukësit e kemi vlerësuar shumë ndërtimin e rrugës së kombit si një investim i madh i kryeministrit Berisha, ndërsa Edi Rama pas një analize që bëra për rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2009, ku argumentova ndërtimin e rrugës si një faktor shumë i rëndësishëm dhe me efekt elektoral nga ana e tij kam marrë përgjigjen: Nuk dua ta dëgjoj më këtë argument", u shpreh Dogjani. Këto arsye, tha ai më tej, "më kanë bërë që sot unë të pranoj me kënaqësi këtë ftesë, pasi e shoh realisht si një mundësi të madhe për të dhënë kontributin tim në politikë, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të qytetarëve e shumë detyrime të tjera që rrjedhin nga ky angazhim". 

3 LIGJET
Ndërkaq, pasi ka vlerësuar një ditë më parë ftesën që i bëri kryeministri Berisha për të qenë në listën e PD-së, Kastriot Islami i kërkoi dje, PS-së që të mos vërë kushte të reja për votimin e 3 ligjeve. "PD besoj do t'i qëndrojë me konseguencë qëndrimeve të saj për miratimin e tri ligjeve duke arritur të kapitalizojë maksimalisht veprimet e saj pro integrimit të vendit në BE", u shpreh dje, Islami, në një shënim të tij, në rrjetin social "Facebook". "PS pas një periudhe të gjatë bllokimi nuk mund të kushtëzojë miratimin me kushte të reja. Betejën e humbur dhe përgjegjësinë për marrjen e statusit PS duhet së paku ta përmbyllë me një tërheqje "elegante" për të shpëtuar faqen, sepse kushtëzimi mund të pengonte miratimin e tri ligjeve, sepse vetëm kështu do të minimizonte efektet e qëndrimeve të saj të deritanishme", u shpreh më tej, Islami. Sipas tij, "LSI duhet të kishte vendosur si kriter për ndërtimin e koalicionit LSI-PS miratimin e tri ligjeve, sepse marrja e statusit ishte objektivi i saj 4- vjeçar dhe vetëm kështu mund të ishte koherente në qëndrimet dhe sjelljet e saj pro integrimit. Duke përshëndetur nismën për miratimin e tri ligjeve, LSI duhet të mos lejojë asnjë lloj kushtëzimi nga PS, sepse kjo mund të komprometonte edhe nismën e saj". "Miratimi i tri ligjeve me konsensus do të ishte edhe një sinjal pozitiv në drejtim të ndërtimit të klimës paqësore për zgjedhjet e 23 qershorit. Ky veprim konsensual do të mirëpritej nga partnerët ndërkombëtarë, pavarësisht se ata i kanë shumë të qarta taktikat politike që kanë zvarritur/ bllokuar marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE", përfundoi shënimin e tij, Islami.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›