E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi i Bankës së Shqipërisë: 1 në 3 familje ka borxhe për të shlyer

TIRANE- Një në çdo tri familje shqiptare ka një borxh për të shlyer. Në 45% të rasteve, familjet huamarrëse deklarojnë se e kanë siguruar huanë/huatë nga burime formale, ndërsa në 54% të rasteve, pohojnë se u janë drejtuar burimeve informale, si “persona fizikë” dhe “hua nga dyqanet”. Janë këto rezultatet që nxjerr në pah sondazhi i kryer nga Banka e Shqipërisë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2012 në një kampion prej 1210 familjesh të shpërndara në 16 rrethe të ndryshme të vendit. “Në totalin e familjeve të intervistuara, rreth 33% e kampionit (401 familje) pohojnë se kanë (në momentin e intervistimit) një hua të papaguar, çka përbën një rritje me rreth 2 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar”, shkruhet në raportin përfundimtar mbi të dhënat e vrojtimit. 

QËLLIMI I HUASˠ
Qëllimet kryesore të marrjes së huasë nga familjet mbeten: “blerja/riparimi i një prone të paluajtshme” në 33% të rasteve, “konsumi” në 32% të rasteve dhe “zhvillimi i biznesit” në 15% të rasteve. Numri i rasteve që deklarojnë se kanë marrë hua me qëllim blerje/riparim të një prone, ka shënuar rënie me rreth 3 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2012, një prirje e nisur që në periudhën e mëparshme. Numri i rasteve ku deklarohet se huaja është marrë për “konsum” është rritur me 4 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar. Ajo që nxjerr në pah sondazhi është se pjesa dërrmuese e borxhit merret nga familjet shqiptare në lekë, dhe shumë më pak në valutë të huaj. “Euroizimi i huamarrjes së familjeve vazhdon të jetë i ulët (92% e rasteve është në lekë), kryesisht për shkak të huamarrjes së lartë nga persona fizikë”, shkruhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Rreth 26% e familjeve huamarrëse (të përgjigjura), deklarojnë përkeqësim të aftësisë së tyre paguese gjatë periudhës, kryesisht për shkak të rënies së të ardhurave, rritjes së shpenzimeve të domosdoshme ose si kombinim i të dyjave. Për të përballuar vështirësitë financiare lidhur me detyrimet e huasë së marrë, nga përgjigjet rezulton se në 51% të rasteve familjet ulin shpenzimet e tyre, në 24% të rasteve kërkojnë një punë të dytë dhe vetëm në 12% të rasteve kërkojnë lehtësim të kushteve të huasë. 

BIZNESI 
Edhe më e rënduar është gjendja e biznesit kur vjen fjala te situata e borxheve. Për të analizuar gjendjen financiare dhe të huamarrjes në vend, Banka e Shqipërisë ka vrojtuar një kampion prej 727 ndërmarrjesh, të shpërndara gjeografikisht në të gjithë vendin. Huamarrja si burim më vete apo i kombinuar është përdorur nga 65.9% e ndërmarrjeve të përgjigjura (211 të tilla) në këtë vrojtim, duke u rritur me 5.9 pikë përqindje në këtë gjashtëmujor. Ndërkohë, veprimtaria e biznesit është financuar vetëm nga shitjet për 27.2% të ndërmarrjeve. Rreth 25% e ndërmarrjeve deklarojnë një rezultat financiar negativ nga veprimtaria e tyre. Rreth 29% e ndërmarrjeve pohojnë se e kanë përfituar huanë gjatë vitit të fundit, ndërsa 48.2% e tyre e kanë përfituar atë prej një periudhe 1-5 vjeçare. Huaja ka pasur si qëllim përdorimi kryesisht përballimin e shpenzimeve korrente për 37.3% të ndërmarrjeve, si edhe kryerjen e një investimi afatgjatë për 30.2% të ndërmarrjeve, ndonëse numri i ndërmarrjeve të cilat kanë marrë hua për këtë qëllim ka vijuar prirjen e mëparshme rënëse.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›