E Diel, 1 Nëntor 2026

3 ligjet, Berisha: Ne do i votojmë, por opozita dëshmoi se i bllokoi për pazare

LEZHE-Kryeministri Sali Berisha akuzoi sot të majtën se në emër të 3 ligjeve ka bërë pazare duke bllokuar marrjen e statusit te vendit kandidat të Shqipërisë për në Bashkimin Europian.

Nga Lezha, ku Kryeministri mori pjesë në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Lezhë-Kala, Berisha theksoi se qeveria realizoi cdo reformë për marrjen e statusit.

“Por opozita shqiptare gjykoi, më mirë të bllokohet statusi sesa të vlerësohet qeveria. Më 10 Tetor, 2011, Komisioni Evropian dha afatin deri në muajin Mars. U bë gjithçka që të merrnin statusin, por u bë gjithçka nga ata (opozita) që të mos votoheshin 3 ligjet, dhe tani e bënë ligjin si pallati në pajë. E bënë Pazar. Ne do i votojmë, por mbi ta do rëndojë akti më i papërgjegjshëm. Ata tregojnë se nuk kanë asnjë princip. Principi i tyre janë vetëm pazaret e vetëm pazaret, dhe jo interesat e qytetarit që me statusin e vendit kandidat do merrnim qindra miliona euro për investime.
U tregua se, ata bëjnë marrëveshje për interesa, por nuk cfarë shtoj më, cilësimin më të bukur ua bëri z Majko, kur ua cilësoi, si marrëveshje të 1 prillit”, u shpreh kryeministri. 

Investimet
Kryeministri Sali Berisha garantoi sot banorët e qytetit të Lezhës se, qeveria edhe në katër vitet që vijnë do të vijojë politikën e uljes së taksave. Kryeministri inauguroi të shtunën aksin rrugor Lezhë-Kala-Lagjia Sheher, një investim ky prej 195 milionë lekësh. Kreu i qeverisë e vlerësoi këtë investim si rrugën më fisnike të Lezhës, ndërsa siguroi se shumë shpejt do të inaugurohet edhe Shëtitorja e Shëngjinit.
Duke u ndalur në vlerat historike të kalasë së Lezhës, kryeministri Berisha tha se "kështjella me rrugën i japin gjallërinë dhe vlerat që ka për shqiptarët dhe turistët nga e mbarë bota". 

Turizmi e punesimi
Sipas kreut të qeverisë, në qarkun e Lezhës janë investuar rreth 1.2 miliardë dollarë, investime këto që shndërrojnë Lezhën në një magnet të fuqishëm për turizmin. Në këtë drejtim, Berisha, tha se turizmi ka njohur këto 8 vite rritjen më të madhe që mund të ketë njohur ndonjëherë ndonjë vend.
"Nga 300 mijë në vitin 2005, numri i turistëve ka arritur në 4.7 milionë, ndërsa në fund të katërvjeçarit që vjen ky numër do të shkojë në 7 milionë turistë", deklaroi Kryeministri. Sipas Berishës, zhvillimi i turizmit do të sjellë edhe rritjen e punësimit, objektiv ky madhor i qeverisë.

Arsimi
 Krahas mbështetjes së turizmit për të hapur vende të reja pune, kryeministri tha se i është dhënë përparësi edhe politikave të zhvillimit të arsimit. Kreu i qeverisë tha se, sot 70 % e maturantëve ulen në bankat e universiteteve.
"Nëse ke një diplomë, mundësitë për të gjetur punë janë dy herë më të mëdha, ndërsa edhe niveli i pagës për të diplomuarit është më e lartë", tha kryeministri. Ai deklaroi se alternativa e opozitës është mbyllja e dyerve të universiteteve.
Por, ai siguroi se kjo politikë nuk do të kthehet kurrë. "Do të bëjmë gjithçka që të rinjtë të ndjekin universitetet", u shpreh Kryeministri.

Taksat
Ndaj, vijoi ai, ne pak ditë më parë morëm vendimin për heqjen e taksave për tre vite për çdo të ri të punësuar si dhe heqjen e taksës mbi të ardhurat për të punësuarit me pagën deri në 30 mijë lekë.

"Me këtë vendim, sipërmarrësit do të kenë 10 % më shumë të ardhura për investime dhe kushte më të mira pune për punëmarrësit", theksoi Kryeministri. Ne, tha ai, jemi të interesuar të shndërrojmë Shqipërinë në një gjenerator të fuqishëm të vendeve të reja të punës.
"Jemi ndoshta i vetmi vend që dëshiron të heqë çdo lloj takse mbi kapitalin monetar dhe jo monetar, imput apo makineri që do të përdoret për prodhim", deklaroi më tej Kryeministri.
Ndërkohë, Kryeministri tha se opozita ka si alternativë rritjen e taksave për bizneset, me logjikën se jemi në qeveri dhe na duhen para. Por, tha ai, kjo politikë shkatërron me shpejtesi të madhe vendet e punës dhe largon investitorët.
"Anëtarësimi në NATO si dhe ulja e taksave bënë që në kulmin e krizës investimet e huaja të arrinin në 4.2 miliard dollarë", tha ndër të tjera Berisha.
Duke u ndalur në efektet e krizës globale, kryeministri Berisha tha se Shqipëria është një nga 4 vendet që i rezistoi krizës dhe nuk ra në recension.
"Ne po ecim drejt këtyre zgjedhjeve me një program më konkret se kurrë ndonjëherë në historinë e pluralizmit, i cili do të rrisë në mënyrë të ndjeshme punësimin”, tha mes të tjerash Berisha në Lezhe ku ndodhej për inaugurimin e rrugës 3.1 kilometra Lezhe – Kala – Lagjia Sheher

Rruga Lezhe – Kala – Lagjia Sheher, në qytetin e Lezhës, ka gjatësi 3,1 km dhe vlerë investimi 195 milion lekë. Rruga, e cila sjell për banorët dhe turistët standarde moderne të infrastrukturës është financuar nga Qeveria Shqiptare, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve. Ajo është 5 m e gjerë dhe është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë trotuare, vendparkime, ndriçim publik, kanalizime, vepra arti, mure mbajtës etj. Rreth nje kilometër i kësaj rruge, në hyrje të Kalasë është shtruar me kalldrëm duke ruajtur traditën dhe historinë e këtij objekti. Ndërhyrja në këtë pjesë është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës dhe Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik. Ky segment rrugor nga i cila përfitojnë 23 mijë banorë është një investim mjaft i rëndësishëm, pasi bën të mundur lidhjen e lagjes më të vjetër të qytetit me Kalanë e njohur të Lezhës, por edhe me spitalin rajonal. Prej vitesh Kalaja e Lezhës, një monument me vlera historike dhe trashëgimi kulturore, ishte i paarritshëm nga vizitorët për shkak të gjendjes së keqe të rrugës, që ndër të tjera vështirësonte edhe lëvizjen e banorëve të lagjes së vjetër Shehër të këtij qyteti.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera ‘3 ligjet’, Ilir Meta: Shpresoj që Berisha të mbajë fjalën për miratimin e tyre

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›