Ju rrëfej krimet që fshihen në minierë, kërkoj dëmshpërblimin
Njerëz në Udhëkryq
Është rubrika më e re në Tirana Observer, dhe që do iu shoqërojë çdo fundjavë. Histori dhe personazhe reale do të rrëfejnë përmes faqeve të gazetës sonë dramën e jetës së tyre… dhunën, skamjen apo padrejtësitë që këta njerëz janë të destinuar të jetojnë. Nuk janë filma as telenovela, por histori të vërteta që fare mirë mund të shërbenin edhe si skenarë kinemaje. Sot ishte dikush që se njihnim, por nesër mund të jemi vetë ne pre, apo viktimat e radhës. Qëllimi jonë është thjesht një sensibilizim drejtuar shoqërisë që hesht para fenomeneve të tilla dhe një apel i fortë i shkon institucioneve përgjegjëse që të marrin masa dhe të forcojnë ligjin kundër ndodhive të tilla negative; që çdo ditë e më shumë po deformojnë shoqërinë shqiptare…Nëse edhe ju keni një histori për të treguar, tuajën apo të të afërmve tuaj, denonconi në rubrikën tonë, që të gjithë bashkë ti vihemi kundër fenomenit të shëmtuar të dhunës. Historia që do të rrëfejmë sot i përket një gruaje nga Bulqiza që mban veshur petkun e zisë për bashkëshortin e saj të vdekur në galeritë e minierës së kromit. Fije Shehu është 50 vjeçarja që do të rrëfejë për gazetën Tirana Observër të gjithë dramën e jetës së saj, skamjen në të cilën duhet të jetojë së bashku me familjarët e saj, dhe padrejtësinë e bërë nga firma e kromit duke mos i dhënë dëmshpërblimin që të ndjerit Feti Shehu i takon sipas ligjit. Por edhe pse 50 vjeçarja ka humbur bashkëshortin e saj në galeritë e errëta të minierës në Bulqizë sërish djemtë e saj, për shkak se nuk kanë vend apo mundësi tjetër mbledhin krom në galerinë ku humbën të atin. Duke bashkëjetuar me mbijetesën për të mbajtur fëmijët me ushqim, dhe frikës se ndoshta edhe ata mund të kenë të njëjtin fat si ai, djemtë e Feti Shehut kërkojnë drejtësi. Fije Shehu bën apel për zgjidhjen e çështjes së dëmshpërblimit për vdekjen e burrit të saj, duke i drejtuar lutjen e saj, Avokatit të Popullit, kryeministrit dhe të gjitha institucioneve të tjera gjyqësore. Denonconi edhe ju në tiranaobserver@gmail.com. Ju mirëpresim
Nga Arta AGOLLI
Historia e Feti Shehut që humbi jetën në galeritë e Bulqizës
Atje ku nuk prek rrezja e dritës, ku lagështia të zë çdo pikë fryme, dhe jeta e minatorëve varet në fije të perit, pikërisht në thellësinë e nëntokës ku bashkë me arin e zi fshihen edhe të vërtetat e vdekjeve të befta të burrave Dibranë, ka humbur jetën edhe Feti Shehu. Nuk ka ditë, që në thellësinë, e galerive të lagështa të mos ndodhë ndonjë aksident e djem të rinj, burra të moshuar, apo të tjerë që sapo kanë krijuar familjen, të mos ndihen të rrezikuar për jetën e tyre. Fije Shehu bashkëshortja e Fetiut të ndjerë, rrëfen për gazetën dhimbjen që e mundon, për nderin e shkelur me këmbë të familjes Shehu, dhe kërkon ndihmë nga institucionet shtetërore për kthimin e dëmshpërblimit nga firma private e kromit, për vdekjen e bashkëshortit të saj. Përveç të tjerash 50 vjeçarja rrëfen disa të vërteta të pa publikuara më parë në media, për aksidentet e ndodhura në galeri, që firmat e kromit i fshehin me qëllim shmangien e gjobave pasi shumica e minatorëve detyrohen të punojnë në të zezë për shkak të varfërisë që ka zaptuar qytetin e vogël të Bulqizës.
Kur dhe në çfarë kushtesh ka humbur jetën, bashkëshorti juaj?
Ka rreth dy vite e gjysmë që bashkëshorti im Feti Shehu nuk është më, ai ka humbur jetën më 11 Nëntor të 2011-tës në një galeri të nëndheshme në minierën e Bulqizës minierë që e ka në pronësi Ardian Hida. Vdekja e tij ishte e papritur, është gjetur i pajetë nga minatorët e tjerë në një galeri të mbyllur në të cilën nuk punohej, kam dy dite që kërkoj drejtësi për burrin tim, jetoj përkrah me dhimbjen pasi ai ka punuar 30 vite në minierë ka hyrë atje që kur ishte fëmijë, dhe atje e la jetën, ka qenë një njeri i respektuar nga të gjithë, por edhe pas vdekjes nuk po e respektojnë pasi i mohojnë dëmshpërblimin që i takon me ligj.
Kujt i jeni drejtuar për dëmshpërblimin që i takon Fetiut, çfarë përgjigje keni marrë?
Fillimisht dua të them që nuk e di, se kuptoj ku mund të shkojë hipokrizia njerëzore, pasi edhe ditën që e varrosa Fetiun ditën e mortit, askush nga përfaqësuesit e firmës nuk më erdhi në zi, kjo është dicka e tmerrshme, më pas pasi kaluan disa muaj, kam shkuar bashkë me djemtë e mi, për të folur me drejtuesit e firmës, për të kërkuar dëmshpërblimin që burrit tim i takon me ligj sikurse e kanë marrë edhe disa familje të tjera në Bulqizë, kur kryefamiljari ka humbur jetën në detyrë, por u pritëm shumë keq, jo vetëm që nuk na ngushëlluan, por na trajtuan sikur të ishim lecka, ndaj kërkoj ndihmë nga shteti, ose djemtë më janë betuar që do ta çojnë nderin e burrit deri në fund. Ne jemi familje pa përkrahje, familje e nderuar që çdo gjë në jetë e kemi ndërtuar me djersë e me nder, nuk e meritonim këtë turp, dua vetëm dëmshpërblimin e Fetiut pasi nuk ka me çfarë të ushqej fëmijët, jemi tre kurorë në shtëpi.
Ju ndërkohë e keni çuar në gjyq, këtë çështje, si po ecën procesi?
Ju drejtova gjykatës pasi nuk munda të zgjidh dot gjë ndryshe, dhe vendimi patjetër që ishte në anën e firmës private të kromit, por unë do ta apeloj çështjen deri sa të më kthehet djersa e bashkëshortit tim. Nuk do të qëndroj e qetë deri sa të zbardhet e vërteta, pasi edhe sot e kësaj dite, djemtë e mi po shkojnë të punojnë të detyruar pasi kanë fëmijët pa bukë, në vendin ku vdiq babai i tyre, dhe kjo është dhimbje e madhe. Kam frikë për djemtë e mi, dhe i lutem zotit të mi ruajë pasi janë shumë të prekur nga kjo padrejtësi që po na bëhet, për mohimin e turpshëm të dëmshpërblimit të Fetiut.
Si janë kushtet në miniera atje ku janë të detyruar të punojnë djemtë e tu?
E çmund tju them për kushtet skandaloze, shumë pak e dinë ankthin dhe dhimbjen e madhe që pushton zemrat e nënave në Bulqizë kur janë të detyruara të përcjellin tek pragu i derës, djemtë e tyre bashkëshortët në tmerrin e quajtur miniera. Por mbijetojmë me dhimbjen, se nuk kemi mundësi tjetër, i presim të na vijnë me sytë çapëlyer e me frikën se sot apo nesër ndonjë galeri do të shembet, e do të na bëjë gjëmën. Djemtë tanë punojnë, të pasiguruar për jetën, në mes të vdekjes, çdo ditë të rrezikuar në kushte skandaloze, dhe askush nuk merr masa. Thuajse çdo ditë, në minierë ndodhin aksidente të ndryshme, por vetë firmat e kromit i fshehin këto ngjarje për shkak se ruhen nga gjobat. Në fakt edhe shumica e minatorëve detyrohen të punojnë në të zezë pasi përndryshe do të vdesin për bukë. Kjo është jeta e tmerrshme që jetojmë ne në Bulqizë.
Cili është apeli juaj, kujt i kërkoni ndihmë për çështjen e dëmshpërblimit?
Apeli im i shkon së pari firmës së kromit, të paguajë dëmshpërblimin e vdekjes së bashkëshortit tim, pasi ai humbi jetën në minierë dhe sipas ligjit i takon pagesa ashtu siç e kanë marrë të gjitha familjet e tjera në Bulqizë. Së dyti i bëj thirrje për këtë çështje edhe kryeministrit Sali Berisha, Kryeparlamentares Jozefina Topalli pasi ajo është nënë vetë, të mendojnë për fëmijët e mi që po luftojnë me skamjen e janë të detyruar të punojnë atje ku vdiq babai i tyre. Të më ndihmojnë të zgjidh çështjen e dëmshpërblimit pasi ajo është e vetmja mundësi mbijetese për ne. Dhe në fund i drejtohem me një thirrje njerëzore Avokatit të Popullit ta marrë në konsideratë lutjen e një gruaje me zemër të vrarë.