E Diel, 1 Nëntor 2026

3 ligjet, Topalli-opozitës: Bëhuni seriozë, mbylleni me nder. Ruçi: Topin e keni në fushën tuaj

TIRANE - Kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli përsëriti sërish sot apelin në drejtim të opozitës për të votuar 3 ligjet e konsideruara si çelësi i marrjes së statusit kandidat për në BE. Sipas Topallit, pas çështjes së Fierit, opozita po gjen "sebepe" të tjera për të bllokuar votimin e 3 ligjeve.

“Ju ftoj të votojmë 3 ligjet e integrimit. Nuk mund të besoj që socialistët dhe demokratët të mos bashkohen për integrimin. Ju ftoj të bëjmë detyrën tonë”- u shpreh kryeparlamentarja.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ju përgjigj apelit të kryetares së Kuvendit duke theksuar : “Mos e kërkoni topin në fushën tonë, e keni në fushën tuaj. Mos kërkoni të lini përgjegjësinë këtej.”

Kuvendi mbajti sot një minutë heshtje në kujtim të ish-deputetit Fatmir Xhindi, i cili u ekzekutua 4 vjet më parë. Me kërkesë të kreut të grupit të PS-së, deputetët nderuan ish-deputetin.

“Pikërisht sot në datën dy, para katër vitesh është vrarë një kolegu jonë dhe katër vite në pushtet nuk zbuluat asgjë. Këtu ai ka djalin e tij, i cili sot nuk është në sallë, ka shkuar atje të vendosë lule në varrin e të atit”- u shpreh Ruçi.

Ndërsa kërkoi nga autoritetet që të kryejnë detyrën për gjetjen e vrasësve të Xhindit, kryetarja e Kuvendit tha: “Shprehim dhimbjen më të madhe dhe i kërkojmë prokurorisë të bëjë detyrën. Edhe njëherë i bëjmë ngushëllime familjes, ai ishte koleg i joni”.

DISKUTOHET P/LIGJI PËR LEGALIZIMIN E NDËRTIMEVE INFORMALE TË PAS VITIT 2006
Kuvendi shqyrtoi p/ligjin që parashikon legalizimin e ndërtimeve informale të pas vitit 2006. Deputeti i Partisë Demokratike, Osman Metalla, deklaroi se me ligjin e ri, qeveria parashikon të legalizojë më shumë se 80 mijë ndërtime pa leje, duke përfshirë këtë herë edhe atë kategori ndërtimesh që janë në distancë të afërt me akset rrugore kombëtare.

Ligji ekzistues, sipas tij, nuk përfshinte në proces legalizimi ndërtimet në distancë më pak se 100 metra nga rrugët kombëtare. "Me ndryshimet e reja ligjore, distanca nga akset rrugore e ndërtimeve që legalizohen shkon në 25-30 metra", tha ai.

"Përllogariten rreth 30 mijë ndërtime pa leje që janë penalizuar nga fakti se duhet të ruhet distanca 100 metra nga dy anët e aksit të rrugës. Ndryshimet e propozuara i referohen Kodit Rrugor. Reduktohen distancat e ndërtesave pa leje në akset rrugore në të dy anët dhe në distancat 20-30 metra", -u shpreh deputeti Sybi Hida.

Në emër të grupeve dy forcat kryesore politike edhe PD edhe PS u shprehën dakord për miratimin e p/ligjit.

SHQYRTOHET P/LIGJI "PËR KRIJIMIN E FONDIT TE KOMPENSIMIT TE PRONAVE"
Kuvendi shqyrtoi p/ligjin "Pë krijimin e fondit special për kompensimin financiar të pronave". Relatorja e p/ligjit, deputetja Adriana Gjonaj tha se fondi për kompensimin financiar të pronave parashikon që përqindja e të ardhurave që vijnë nga shitja e pasurive shtetërore të jetë jo më e fiksuar në 65 për qind të të ardhurave, por e variueshme nga 20 deri në 65 për qind.

"Fondi special për kompensimin e pronarëve, përveç të ardhurave nga buxheti i shtetit apo transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, ka si zë tjetër të ardhurash edhe paratë që merren nga shitja në ankand e pasurive shtetërore. Me ligjin aktual, nëse shitet një pasuri shtetërore, rreth 65 për qind e vlerës shkon si fond për kompensim, për rastet e privatizimeve jostrategjike. Ndërkohë që me vendimin e fundit të miratuar në qeveri bëhet edhe ndryshimi ku përqindja që mund të shkojë në fondin e kompensimit fillon nga 20 për qind në 65 për qind të vlerës së shitjes së objektit, në varësi të shlyerjes që bëhet me lekë", deklaroi Gjonaj.

Ndërkohë deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, tha se ky është vetëm një arnim që i bëhet këtij ligji, ndërsa shtoi se kjo qeveri nuk mund të zgjidhë në javën e fundit të mandatit të saj, problemin me pronat.

“Nuk ka asnjë proces që ka dështuar totalisht, e shkruar kjo me gërma të mëdha në progres raportet e cila nuk mund të rregullohet me arnime. Nëse ka reformë dhe projekt për të cilën nuk duhet t’ju votojë asnjë pronar dhe ish pronar ky është pikërisht procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave”, tha Kodheli.

Sipas Kodhelit, zyrat e hipotekës janë kthyer në celulë korrupsioni. “Pronarë harrojeni që në javën e fundit të pushtetit do zgjidhin atë që se kanë bërë për 20 vjet. Me arnime kjo situatë vetëm përkeqësohet, nuk zgjidh asgjë. Kjo qeveri ka bërë cdo gjë me pronat e qytetarëve, por asnjëherë se ka cuar tek i zoti”, tha Kodheli më tej.

“Ne kemi vendosur ta votojmë por jemi të bindur që do jetë një tjetër letër pa vlerë”, u shpreh deputetja e PS.

Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratke, Gjok Uldedaj deklaroi se fondi i kompensimit financiar të pronave do të përdoret në mënyrën më të detajuar për kompensimin në vlerë të pronave që iu është njohur e drejta e kthimit e ku kthimi fizik është i pamundur. 

MBYLLJA E PUNIMEVE TË KUVENDIT, NË VARËSI TË ECURISË SË PR/LIGJEVE
Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë punimet deri në prag të fushatës elektorale, në varësi të ecurisë së projekt/ligjeve.

Konferenca e Kryetarëve u mblodh sot përpara nisjes së seancës së radhës së Kuvendit, por nuk vendosi asnjë datë konkrete për mbylljen e punimeve të legjislativit.
Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin tre-javor të Kuvendit, deri në prag të nisjes zyrtare të fushatës elektorale.

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Mbyllja e punimeve të Kuvendit, në varësi të ecurisë së pr/ligjeve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›