E Shtunë, 31 Tetor 2026

3 skenaret e Asamblesë së PS-së

Asambleja Kombëtare e së martës përbën një nga mbledhjet më të rëndësishme të mbajtura në Partinë Socialiste që prej ardhjes në krye të saj të Edi Ramës. Ajo që pritet të ndodhë në këtë forum do të ketë padyshim një ndikim të madh në të ardhmen e një prej forcave politike kryesore në vend. Në mbledhjen e cila do të zhvillohet në orën 11:00 tek "Xibraku", pritet të paraqiten dy promemorie, e para e hartuar nga Saimir Tahiri që përfshin mbështetësit e Edi Ramës, dhe një tjetër e hartuar nga kundërshtarët e kryetarit Rama. 3 skenare janë mundësitë nepër të cilat mund të zhvillohet mbledhja e forumit të larte të socialisteve.
E para, edhe pse e çuditshme, në fakt ka më shumë mundësi të ndodhë dhe është pikërisht dorëheqja e kryetarit të PS-së, Edi Rama. Por kjo strategji nuk do të thotë që Edi Rama do t'i hapë rrugën një gare të re për postin e kryetarit të partisë më të madhe të opozitës, por që ai do të kërkojë votëbesimin nga forumet drejtuese të partisë. Pikërisht burime brenda PS-së, bëjnë të ditur se mbështetësit e Ramës do të kërkojnë thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm në datën 28 gusht. Në këtë rast është Gramoz Ruçi ai i cili do të ushtrojë kompetencat e kryetarit të partisë derisa kongresi të vendosë fatin e Edi Ramës.
Një tjetër skenar që mund të zhvillohet në Asamblenë e PS-së është ai i cili është parë në të gjitha deklaratat publike të selisë të PS-së e që ka të bëjë me mosnjohjen e zgjedhjeve. Kjo alternativë është artikuluar shpesh nga Edi Rama dhe bojkoti i parlamentit dhe mosnjohja e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit i jep atij mundësinë të qëndrojë në krye të partisë. Por miratimi i këtij vendimi në fakt pritet të shoqërohet me debate të ashpra në PS pasi figura të njohura të kësaj partie kanë dalë kundër kësaj teze.
Dhe skenari i tretë që në fakt është më pak i mundshëm është miratimi i promemories së hartuar nga Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami e të tjerë. Kjo promemorie synon pranimin e humbjes që do të përkthehet automatikisht në ndërprerje të mandatit të Edi Ramës si kryetar i PS-së. Megjithate do të jetë Edi Rama dhe anëtarët e Asamblesë të cilet do të vendosin për rrugën në të cilën do të ecë PS.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›