E Shtunë, 31 Tetor 2026

30% e popullsisë anemike, nga 1 janari buka me vitamina

TIRANE- Duke nisur nga fillimi i vitit 2012, fabrikat e miellit do të hedhin në treg vetëm miell, të cilit do t`i shtojnë acid folik, zink dhe vitaminë B6 dhe B12. Kjo është një kërkesë e Ministrisë se Shëndetësisë dhe OBSH-së me qëllim uljen e shifrave të anemisë, pasi rreth 30 % e popullsisë rezultojnë anemikë për shkak të kequshqyerjes.

Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit do të fokusojë kontrollet e tij në 20 fabrikat e mëdha në vend, që mbulojnë rreth 60 % të tregut, por dhe në fabrika me kapacitet me të vogël. "Janë tre lloj analizash të ndryshme, të cilat mund të verifikojnë nëse është bërë fortifikimi i miellit. Një realizohet në kufi, me anë të një testi acid që vërteton nëse mielli është fortifikuar. Niveli i fortifikimit në bazë të kërkesave që do të ketë ligji do të kryhet nëpër laboratorët rajonalë ose laboratorin qendror. Në Shqipëri mielli përgatitet për bukë që nga fabrikat. Të gjithë elementet që mielli përmban i shtohen që në momentin e përpunimit, në fabrikat e blojës", - ka sqaruar specialisti i AKU-t, Rezart Kthupi.

Sipas një studimi të ISHP-së, për shkak të kequshqyerjes 19 % e fëmijëve nën 5 vjeç, rezultojnë me prapambetje në rritje, gjatësi, mbipeshë e probleme të tjera. Është përllogaritur se në Shqipëri konsumi i miellit është 360 gramë në ditë për person dhe se shtimi i mikro-substancave ka një kosto më të ulët se sa marrja e këtyre vitaminave më vete.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›